Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan tha se “Vazhdimi i marrëveshjes së arritur midis Iranit dhe Izraelit, mosshkelja e armëpushimit dhe kthimi në paqe të përhershme janë ndër qëllimet tona më të mëdha strategjike për momentin”, raporton Anadolu.
Fidan bëri deklarata pas takimit në ministri me homologun e tij britanik, David Lammy.
Ai tha se Turqia dhe Britania e Madhe janë dy partnerë strategjikë që ndajnë shumë qëllime strategjike për të njëjtën çështje. “Ne jemi dy vende anëtare të NATO-s që nuk janë vende të Bashkimit Evropian, por kemi lidhje të forta me Evropën”, tha kryediplomati turk.
Fidan tërhoqi vëmendjen mbi bashkëpunimin midis dy vendeve në shumë fusha si ekonomia, mbrojtja dhe bashkëpunimi teknologjik. “Vëllimi ynë i tregtisë së jashtme aktualisht po i afrohet objektivit prej 30 miliardë dollarësh. Ky është me të vërtetë objektivi që kemi ndjekur me këmbëngulje të madhe vitet e fundit”, tha ai.
Pasi bëri të ditur se të dy vendet kanë punuar shumë për këtë çështje vitet e fundit, Fidan tha se ka mundësi shumë më të mëdha në fushën e tregtisë dhe investimeve dhe se Marrëveshja e Tregtisë së Lirë duhet të përditësohet në mënyrë që ta çojë këtë edhe më tej.
– “Bashkëpunimi ynë në industrinë e mbrojtjes po shkon shumë mirë”
Fidan tha se ka studime të vazhdueshme mbi këtë çështje. “Bashkëpunimi ynë në industrinë e mbrojtjes po shkon shumë mirë. Nga furnizimi me ‘Eurofighter’ deri te studimet tona të përbashkëta në fusha të tjera, kompanitë dhe institucionet tona përkatëse po punojnë mirë mbi këtë çështje”, shtoi ai.
Sipas tij, pikëpamjet e të dy vendeve pothuajse përputhen në fushën e politikës së jashtme, veçanërisht në çështjet e Gazës, Sirisë, Iranit, Irakut dhe luftës Rusi-Ukrainë. Ministri turk tha se armëpushimi midis Rusisë dhe Ukrainës mbështetet nga të dyja palët.
“Vazhdimi i marrëveshjes së arritur midis Iranit dhe Izraelit, mosshkelja e armëpushimit dhe kthimi në paqe të përhershme janë ndër qëllimet tona më të mëdha strategjike për momentin. Nga ana tjetër, është e rëndësishme për ne që ta përfundojmë tragjedinë në Gaza sa më shpejt të jetë e mundur, të nënshkruajmë marrëveshje armëpushimi dhe ta zgjidhim këtë problem në bazë të një zgjidhjeje me dy shtete”, tha Fidan.
Ai shprehu mirënjohjen ndaj homologut të tij për heqjen e sanksioneve të Britanisë ndaj Sirisë. “Thanë se do të shkojnë edhe vetë në Siri së shpejti. Kjo është me të vërtetë një fushë e rëndësishme bashkëpunimi për ne. Stabiliteti në Siri, siguria në Siri është çështje që do t’i shërbejë si rajonit ashtu edhe të gjithëve neve në nivel global. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për këtë çështje”, nënvizoi Fidan.