Bordi drejtues i Federatës së Futbollit të Maqedonisë (FFM), në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim për nisjen e një procedure disiplinore para Komisionit Disiplinor të FFM-së ndaj ish-presidentit të federatës, Muhamed Sejdini.
Procedura është iniciuar për shkak të dyshimeve të bazuara për mashtrim dhe vënie në mashtrim të anëtarëve të Bordit drejtues, lidhur me pagesën avans prej 700 mijë eurosh ndaj kompanisë kontraktuese të angazhuar për ndërtimin e tribunës së stadiumit “Biljanini Izvori” në Ohër.
Sipas FFM-së, bazuar në dokumentacionin e disponueshëm, pagesa është kryer në mënyrë të njëanshme, në kundërshtim me vendimin e Bordit drejtues, në kundërshtim me ofertën dhe kompetencat, si dhe pa u siguruar garanci bankare.
Bordi drejtues i FFM-së vlerëson se ekzistojnë elemente të shkeljeve të rënda të detyrave zyrtare dhe veprime në kundërshtim me interesat e FFM-së, me ç’rast janë shkaktuar pasoja negative për reputacionin dhe funksionimin financiar të federatës.
Gjithashtu, Bordi drejtues i FFM-së ka vendosur të formojë një komision ad-hoc që do të kryejë revizion të procesit edukativ për mbajtësit e licencave të trajnerëve të lëshuara nga Qendra Edukative e FFM-së.
Revizioni do të përfshijë verifikimin e respektimit të afateve, procedurave dhe kritereve për ndjekjen dhe pjesëmarrjen në modulet edukative, si dhe procedurën për lëshimin e licencave të trajnerëve.
Ndër të tjera, do të hetohet edhe mënyra se si ish-përzgjedhësi Igor Angelovski e ka marrë licencën PRO, revizion që ai vetë e ka kërkuar, thuhet në njoftimin e FFM-së.


