Feti Abazi, kryetar i komunë së Bogovinës, ditën e sotme e ka mikpritur ambasadori i Republikës së Kosovës në vend, Florian Qehaja.
Në frymën e bashkëpunimit, pas marrëveshjes me komunën e Mamushës, në fushën e Ambientit Jetësor, raporti i kësaj komune me komunat homologe të Kosovës, do të rritet në vazhdim.
Pamjet i ka publikuar, i pari i Bogovinës, në rrjetin e tij social të Facebookut.
“Vizitë zyrtare në Ambasadën e Republikës së Kosovës.
Në vazhdën e takimeve për prezantimin dhe njohjen me vizionin e ri të Komunës së Bogovinës, sot realizuam një takim zyrtar në Ambasadën e Republikës së Kosovës. U pritëm me një mikpritje të ngrohtë dhe vëllazërore nga Ambasadori Sh.T.Z. Florian Qehaja.
Takimi u zhvillua në frymë bashkëpunimi dhe respekti të ndërsjellë, duke reflektuar lidhjet e veçanta miqësore dhe vëllazërore që Ambasadori ka me Komunën e Bogovinës.
Gjatë bisedës, e njoftuam Ambasadorin se tashmë kemi të miratuar projektin ndërkufitar me Komunën e Mamushës, të financuar nga Bashkimi Evropian, në sferën e ambientit jetësor. Po ashtu, u dakorduam për rritjen e bashkëpunimit ndërkufitar dhe atij rajonal me komunat në Kosovë.
Ambasadori na ftoi në pritjen zyrtare me rastin e shënimit të Ditës së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ftesë që e pranuam me shumë kënaqësi, duke shprehur njëkohësisht gatishmërinë për përkrahjen e iniciativave të tjera ndërkufitare dhe rajonale.
E falënderova Ambasadorin në emrin tim dhe në emër të qytetarëve të Komunës së Bogovinës dhe u dakorduam që së shpejti të na kthejë vizitën”, ka përfunduar Feti Abazi.


