Zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë Arben Fetai akuzon BDI-në dhe kreun e këtij subjekti Ali Ahmetin për shqetësim të rrejshëm lidhur me vendimin e Kushtetueses për “Medresenë Isa Beu”. Fetai ka publikuar vendimin e qeverisë të datës 1 dhjetor të vitit 2023 sipas të cilit, propozimi vendimi i Ministrisë së Arsimit që Medreseja Isa Beu të merr statusin e shkollës së mesme private-gjimnaz, është hequr nga rendi i ditës së seancës qeveritare në dhjetor të 2023, duke u bazuar në mendimin e Sekretariatit për Legjislacion të Qeverisë, ku thuhej se nuk janë përcaktuar mundësi ligjore që BFI në RMV të themelojë shkollë të mesme private në të cilën do të organizohet dhe realizohet mësim për arsimin e mesëm të gjimnazit.
Fetai thotë se mashtrimi që BDI i ka bërë qytetarëve vetëm për të fituar pikë politike në fushatë zgjedhore është bërë në momentin kur të vetëdijshëm për mendim negativ, në seancën e datës 26 mars të 2024, Qeveria teknike e Talat Xhaferit e ka miratuar vendimin e Ministrisë së Arsimit
Ditë më par BDI e quajti skandaloz vendimin e Gjykatës Kushtetuese për shfuqizimin e vendimit qeveritar të kohës së kryeministrit teknik Talat Xhaferi për Medresenë Isa Beu. Ndërsa nga VLEN, thanë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është dëshmi për manipulimin e BDI-së që ua ka bërë besimtarëve se gjoja ka akredituar Medresenë e në fakt, ka bërë akreditim të rrejshëm i cili është antiligjor dhe antikushtetues.
Më 26 mars të vitit të kaluar, qeveria teknike e udhëhequr nga Xhaferi kishte njoftuar se ka zgjidhur çështjen e medresantëve të cilët nuk mundeshin të vazhdonin shkollimin e lartë në universitetet e vendit, pasi statusi i Medresesë ishte shkollë fetare. Qeveria, kishte sjellë vendim me të cilin Medresesë Isa Beu i jepej statusi i shkollës private gjimnaz. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese konstaton se në fakt, Qeveria e udhëhequr nga Xhaferi nuk ka gjetur zgjidhje përkatëse për medresantët, pasi sipas tyre është shkelur ligji dhe Kushtetuta, pasi bashkësitë fetare u ndalohet themelimi i shkollave të mesme civile. Njëkohësisht, në shkolla ndalohet organizimi dhe veprimtaria fetare. Me këtë, medresantët rikthehen sërish në pozitën që kanë qenë paraprakisht, respektivisht me diplomë nga Medreseja Isa Beu, nuk mund të vazhdojnë studimet në universitetet e vendit./Alsat.mk