Kryetari i Kuvendit të Aleancës për Shqiptarët dhe zëvendëskryeministri për qeverisje të mirë në Maqedoninë e Veriut, Arben Fetai, zhvilloi sot një takim në Prishtinë me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Takimi vjen në një moment kyç për Aleancën për Shqiptarët, pas largimit të krahut të drejtuar nga Arben Taravari nga Qeveria dhe pas ndasive të theksuara brenda këtij formacioni politik.
Përmes një postimi publik, Fetai thekson rëndësinë simbolike dhe politike të këtij udhëtimi:
“Në agimin e kësaj dite, së bashku me disa miq të idealit nga Aleanca për Shqiptarët, morëm rrugën drejt Prishtinës, duke përshkuar autostradën ‘Arbën Xhaferi’, një rrugë që për ne nuk është thjesht infrastrukturë, por simbol i lidhjes sonë shpirtërore dhe kombëtare. Aty në Prishtinë, zhvilluam një bisedë vëllazërore me mikun tonë, Albin Kurti. Ajo që na bashkon sot, më shumë se kurrë, është vizioni dhe ideali ynë i përbashkët për progres dhe zhvillim, një ideal që s’njeh kufij, as pengesa.”, ka shkruar Fetai.