101-vjetori i themelimit të Republikës së Turqisë dhe Festa Kombëtare e 29 Tetorit u festua në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, Shkup.
Nën organizimin e Ambasadorit të Turqisë në Shkup, Fatih Ulusoy, në këtë pritje morën pjesë Presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska Davkova, Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, Kryeministri Hristijan Mickoski, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Gjeneral Major Sashko Lafçiski, ministra, deputetë, përfaqësues të partive politike, përfaqësues të institucioneve dhe organizatave turke në vend, si dhe shumë të ftuar të tjerë.
Aktiviteti nisi me intonimin e himnit kombëtar të Turqisë dhe himnit kombëtar të Maqedonisë së Veriut, ndërsa u shfaq edhe një video mesazh i Presidentit të Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.
Në fjalën e tij, Ambasadori Ulusoy kujtoi se ky vit shënon vitin e tij të parë në postin e ambasadorit në Maqedoninë e Veriut, të cilit Turqia i kushton një rëndësi të madhe. Ai shprehu kënaqësinë e tij për të shërbyer në një vend aleat, mik dhe vëlla.
Pas fjalimeve, Instituti Yunus Emre organizoi një ekspozitë fotografike të titulluar “Festimet e Republikës nga Themelimi e deri më Sot”, e përbërë nga 22 fotografi të siguruara nga Arkivi i Agjencisë Anadollu, ku u shfaqën fotot e festimeve të mëparshme të Ditës së Republikës.
Pjesa e fundit e mbrëmjes përfshiu një performancë nga Gotse Talevski, një artist i rëndësishëm i Filarmonisë së Maqedonisë së Veriut, i cili ka mësuar turqisht në nivel të lartë në Institutin Yunus Emre dhe këndoi këngë të preferuara të Ataturkut nga rajoni i Rumelisë, të cilat u pëlqyen shumë nga dashamirët e artit.