Profesori i Fakultetit Juridik dhe një nga hartuesit e kushtetutës, Lubomir Fërçkoski ka sulmuar ashpër kryetarin Ivanov, pas kushtëzimit që i bëri ky i fundit dhënies së mandatit për qeverinë e re.
Pas konsultimeve të djeshme me partitë parlamentare, kryetari Ivanov deklaroi se do t`ia japë mandatin për formimin e qeverisë atij që dorëzon së paku 61 nënshkrime deputetësh. Por jo vetëm kaq, Ivanov kërkon që kryeministri dhe qeveria e re të plotësojnë dy kushte: respektimin e interesave shtetërore dhe ndërrmarrjen e reformave në sistemin e sigurisë.
Sipas hartuesit të kushtetutës Fërçkoski, Ivanov e ka shkelur kushtetutën së paku dy herë. Herën e parë kur ia dha mandatin Gruevskit pa i kërkuar dëshmi se ai ka shumicë parlamentare dhe herën e dytë kur kërkon që të vlerësojë programin qeverisës, një atribut që e ka parlamenti – transmeton Zhurnal.
Fërçkoski thotë se roli i kryetarit të shtetit në këtë situatë është formal dhe jo thelbësor dhe nëse brenda parlamentit të ri bëhen bashkë 61 deputetë ata mund ta injorojnë Ivanovin dhe ta zgjedhin qeverinë e re, duke përmendur edhe shembullin e ngjeshëm në Slloveni kur kryetari refuzonte t`ia jpë mandatin Janez Janshës, i cili më vonë u zgjodh kryeministër pa e marrë mandatin.