Edhe pse ekziston Konventa për të Drejtat e Personave me Aftësi të Kufizuara, gjërat nuk lëvizin përpara, sepse në mesin e shoqërisë ende i veçon dhe diskriminon personat me aftësi të kufizuara. Ato diskriminohen edhe në sferën e arsimit, ballafaqohen me mungesë objektesh, kuadrosh dhe plan programesh. Ky ishte përfundimi i debatit lidhur me përfshirjen e fëmijëve dhe të rinjëve me nevoja të veçanta, të organizuar sot në shkollën e mesme “Braqa Milladinovci” në Draçevë të Shkupit, njofton Almakos.
Ixhet Memeti, Avokat i popullit thotë se gjashtë vjet pas ratifikimi të Konventës fatkeqësisht gjërat nuk kanë lëvizur për të mirë.
“Në vend të pyesim :”Çka nuk është në rregull me personat me aftësi të kufizuar”, duhet të pyetemi:” Çka duhet të ndryshohet në shoqëri që personat me aftësi të kufizuar t’i gëzojnë të gjitha të drejtat e njeriut”, porositi Memeti.
Ai thekson se këto persona hasin në pengesa gjatë lëvizjes, komunikimit, hasin pengesa në qasjen dhe shfrytëzimin e shërbimeve.
“Mungojnë shkolla të përshtatura dhe të pajisura në mënyrë adekuate me resurset e nevojshme për realizimin pa pengesë të të drejtës së arsimit të fëmijëve me aftësi të kufizuar në arsimin e rregullt”, shtoi Memeti.
Nga ana tjetër, Ministresha për Arsim dhe Shkencë, Renata Deskoska përshëndeti përpjkejet e shkollës “Braqa Milladinovci”, për të hapur dyert për nxënësit me aftësi të kufizuara.
“Kjo duhet të merret shembull nga të gjithë shkollat tjera”, tha Deskovska duke shtuar se duhet të zhduken dallimet dhe diskriminimi.
Zëvendës përfaqësuesja e UNICEF-it, Ellpest Erikson foli për kualitetin e arsimit për nxënësit me aftësi të kufizuara.
“Është e drejtë e të gjithëve të arsimohen pa mar parasysh gjendjen mendore, fizike, ekonomike apo vendbanimin”, tha Erikson dhe shtoi se personave me aftësi të kufizuar u duhet ndihmë për të arritur qëllimet.
Mevludin Imeri
Almakos.com