Në moment që një çift divorcohet, ata që më së shumti vuajnë janë fëmijët, që përballen jo vetëm me prishjen e familjes tradicionale që kanë njohur deri në momentin e ndarjes së prindërve, por edhe me dilemën se krahun e cilit prind duhet të mbajnë pas ndarjes.
Zakonisht, fëmijët pas ndarjes, lihen nën kujdestarinë e njërit prind, me të drejtë për të vizituar rregullisht prindin tjetër në afate të mirëcaktuara ligjore.
Nisma Qytetare për të Drejta të Barabarta Prindërore, pas ndarjes thotë se në këtë mënyrë fëmijët keqpërdoren, ndaj ata kërkojnë që të dy prindërit e tyre të kenë kujdestari të barabartë ndaj fëmijëve.
“Qëllimi kryesor i grupit të prindërve për aplikimin e të drejtës prindërore 50-50, është të ndryshohet padrejtësia e deritanishme lidhur me realizimin e të drejtës prindërore, pas divorcit. Koncepti i deritanishëm i një prindi kryesor, të cilit i jepet plotësisht e drejta e kujdesit ndaj fëmijëve dhe vendosja e një prindi të kontestueshëm që ka kohë të kufizuar në realizimin e të drejtës prindërore kualitative, para së gjithash është e dëmshme për fëmijët të cilët faktikisht e humbin njërin prind”,- deklaroi Naum Ribaroski nga I. Q. “Të drejta të njëjta pas divorcit”.
”Ne angazhohemi për më shumë dashuri ndaj fëmijëve nga ana e prindërve të tyre, si dhe nga anëtarët tjerë të një familjeje”,- tha Natasha Stojçeska nga I. Q. “Të drejta të njëjta pas divorcit”.
Nga Ambasada e fëmijëve Megjashi vlerësojnë se prindërve duhet t’u jepet e drejta e kujdesit të barabartë, pasi qendrat sociale të vlerësojnë se dy prindërit mund të marrin pjesë të barabarta të përgjegjësive.
“Dhënia e kujdesit të përbashkët në të ardhmen duhet të monitorohet në vazhdimësi nga ana e shërbimeve profesionale, përkatësisht ndjekja e dy prindërve në realizimin e të drejtave dhe obligimeve të tyre prindërore”,- theksoi Dragi Zmijanac nga Megjashi.
Nga Megjashi ndërkohë lajmërojnë se për herë të parë Maqedonia do t’i bashkëngjitet shënimit të Ditës Botërore të Luftës Kundër Tjetërsimit Prindëror, 25 prillit, ku është paraparë një tubim para Kuvendit Republikan.