Takimi i zyrtarëve të BeH-së me Përfaqësuesen e Lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zv/presidenten e Komisionit Evropian, Frederica Mogherini, e cila ishte planifikuar të mbahet sot, u anulua për shkak të pamundësisë së aterimit të aeroplanit në Aeroportin Ndërkombëtar të Sarajevës, raporton AA.
Mogherini sot pritej të arrijë për vizitë në Bosnjë e Hercegovinë, pasi dje qëndroi për vizitë në Mal të Zi. Sipas planit të vizitës, Mogherini është dashur të takohet së pari me anëtarët e presidencës së BeH-së.
Pas bisedimeve me Kryesuesin Mlladen Ivaniq dhe Dragan Çoviq, si dhe Bakir Izetbegoviq, anëtarët e Kryesisë, ishte palinifikuar që Mogherini t’u drejtohej studentëve të tetë universiteteve publike në BeH në ndërtesën e Rektoratit të Universitetit të Sarajevës.
Mogherini pas kësaj ishte planifikuar të mbajë takim me Denis Zvizdiq, Kryetarin e Këshillit të Ministrave, ku të pranishëm duhej të ishin edhe dy zëvendësit të tij Mirko Saroviq dhe Vjekoslav Bevanda si dhe ministri i Jashtëm Igor Cërnadak.
Përveç Malit të Zi dhe BeH-së, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, Mogherini në dy ditët e ardhshme, duhet të vizitojë Serbinë, Kosovën, Maqedoninë dhe Shqipërinë.
Për vizitën e saj në Ballkanin Perëndimor ajo do të raportojë para ministrave të Jashtëm të BE-së më 6 mars në një takim të Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë.

