Në një reagim të ashpër publik, Fatmir Limani e ka krahasuar koalicionin VLEN me “katër gjela që s’pranojnë kapedan”, duke vënë në pikëpyetje funksionimin dhe kohezionin e brendshëm të këtij bashkimi politik.
Sipas tij, bashkimi i krijuar nuk përfaqëson një mision të përbashkët apo një vizion të qartë politik, por më tepër një përpjekje për shpëtim individual përballë presioneve dhe përgjegjësive politike. Limani thekson se marrëveshjet e shkelura dhe premtimet e parealizuara ndaj mbështetësve kanë prodhuar një aleancë të brishtë, ku interesat personale dominojnë mbi qëllimet kolektive.
“Nga premtimet e parealizuara dhe marrëveshjet e shkelura me ata që i ngritën nga individë në “liderë”, lind bashkimi që më shumë i ngjan një lufte për shpëtim sesa një misioni të përbashkët” shkruan Limani
Ai e përshkruan situatën si një bashkim figurativ “nën një çadër”, ku secili synon të ruajë apo zgjerojë hisen e vet, ndërsa mungon një udhëheqje e qartë dhe një frymë bashkëpunimi. Në këtë kontekst, metafora e “katër gjelave” nënvizon rivalitetin e brendshëm dhe pamundësinë për të pranuar një drejtim të përbashkët.
“Si katër Gjela që s’pranojnë kapedan, por që s’mund të rrinë as në një kotec të përbashkët dhe pa u çukitur” thotë më tej Limani
Në fund Fatmir Limani shkruan se ky bashkim i VLEN-it është për të shpëtuar lëkurën e shqyer por do të përfundoj në shkatërrim. “Bashkim për të shpëtuar lëkurën e shqyer, por që përfundon me shkatërrim…” shkruan në fund Limani
Ndryshe edhe pse janë përafëruar qëndrimet për formimin e VLEN-it ka një përplasje në ASH-në e Arben Fetahut ku është krijua një ASH e re nën ministrin e Shëndetësisë, Azir Aliun, që mund të krijohet problem për VLEN-in. Nga ana tjetër nga Alterantiva ende nuk ka një qëndrim zyrtar nëse do të shkrihen apo do të ndahen nga VLEN-i./TS/
Teksti i Plotë i Fatmir Limanit
Nga premtimet e parealizuara dhe marrëveshjet e shkelura me ata që i ngritën nga individë në “liderë”, lind bashkimi që më shumë i ngjan një lufte për shpëtim sesa një misioni të përbashkët.
● Si katër vëllezër që lanë shtëpitë e tyre për të ndërtuar një kulm të përbashkët, por, pasi filluan përplasjet mes “nuseve”, nisën të matin muret për ndarje.
● Si katër bixhozxhinj që bashkuan kuletat jo për rregull, por për të “sheshuar” humbjet, duke zënë pastaj hisen e pamerituar në pazarin e madh të lojës.
● Si katër udhëtarë që hipin mbi shpinën e njëri-tjetrit, duke e përdorur shoku-shokun si gomar pa samar, derisa t’u këputen këmbët.
● Si katër shefa që zvogëlojnë “krahun” e punës që kërkon llogaridhënie, për t’u ngarkuar punëtorëve të mbetur me dyfishin e punës që u takon.
● Si katër bisha që, sapo pushon shiu, përplasin çadrën si të pavlerë dhe synojnë çfarë t’u bjerë në dorë, vetëm për ta tejkaluar përkohësisht pengesën.
● Si katër Gjela që s’pranojnë kapedan, por që s’mund të rrinë as në një kotec të përbashkët dhe pa u çukitur.
● Si katër “namuzlinj” që s’gjejnë kokë për kurorë, por secili mban në xhep nga një pretendim mbretëror.
● Si katër anë të botës që nuk takohen kurrë, jo sepse i ndau Zoti, por sepse nuk dinë të bëhen horizont.
● Si katër të lindur nga katër…, me katërqind synime…
Dhe në fund dy nga vëllezërit si Si’amez nxitën përçarje te vëllezërit tjerë në mënyrë që t’u marrin hisen që u takon mbrënda “çadrës” së përbashkët.
*Bashkim për të shpëtuar lëkurën e shqyer, por që përfundon me shkatërrim…
F. B. L.


