Ka filluar beteja për emrin e ri të guvernatorit të Bankës Popullore të Maqedonisë. Me kandidat potencial ka dalë edhe Bashkimi Demokratik për Integrim. Bëhet fjalë për ish-ministrin e ekonomisë dhe zv/kryeministrin Fatmir Besimin. Lajmin për TV21 e konfirmon deputeti i kësaj partie Xhevat Ademi. Nga BDI shprehen se nuk e mbështesin propozimin e Ivanovit.
“Fatkeqësisht, Ivanov po e vështirëson kohabitacionin muajt e fundit në karrierën e tij politike dhe nuk ofron kontribut konstruktiv shtetëror në këto momente kyçe për shoqërinë tonë. Ne si BDI e kemi kandidatin tonë dhe njeriun profesionist ai është Fatmir Besimi. Sa për informim të opinionit të gjerë ne si BDI edhe atëherë nuk e kemi votuar Bogovin si guvernator”, tha Xhevat Ademi, deputet i BDI-së.
Presidenti i vendit Gjorge Ivanov, ditë më parë propozoi riemërimin e guvernatorit aktual Dimitar Bogovin. Deri më tani vetëm emri i tij është para deputetëve të Kuvendit, i dërguar nga kabineti i Ivanovit.
“Nga viti 2015 e këndej, Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë, sipas vlerësimeve të KE-së shënon progres të shkëlqyer në realizimin e qëllimeve dhe obligimeve të veta, në pajtueshmëri edhe me legjislacionin e BE-së. Në atë kontekst veçanërisht është notuar arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve, mirëmbajtja e rezervave valutore, mbajtja e kursit të këmbimit fiks të denarit kundrejt euros dhe shfrytëzimi i operacioneve të tregut të hapur dhe rezerva e detyrueshme. Pozitivisht është vlerësuar edhe harmonizimi i kornizës juridike i politikës monetare me legjislativën e BE-së, dhe aktivitetet për sigurimin e pavarësisë funksionale dhe institucionale të Bankës Qendrore”, tha Kabineti i Presidentit Gjorge Ivanov.
Ndërsa, LSDM dhe VMRO-DPMNE ende nuk kanë qëndrim rreth propozimit. Për t’u zgjedhur i pari i BPM-së duhen 61 vota apo shumicë e thjeshtë. Pritet që kryeparlamentari Xhaferi të thërrasë në koordinim shefat e grupeve parlamentare për të caktuar seancë.
Ndryshe, Bogov u zgjodh si guvernator në muajin mars të vitit 2011 me 62 votat e vetme të VMRO-DPMNE-së. Në këtë post është qe 7 vjet. A do të ketë konsensus mes opozitës dhe pushtetit për riemërimin e guvernatorit, do të dihet më së voni deri më 21 maj, atëherë edhe kur përfundon mandati i Bogovit. /tv21/