Fati i testimit ekstern gjegjësisht ndërprerja e tij do të varet nga Qeveria e re. Në programin e Qeverisë të prezantuar nga LSDM-ja theksohet se gjatë mandatit të tyre do të propozohet ndërprerja e testimit ekstern si projekt që ngjalli shumë revolt te mësimdhënësit, kurse krijoi edhe shqetësim dhe pakënaqësi edhe te nxënësit dhe prindërit.
Testimi ekstern e ka devalvuar të gjithë përpjekjen dhe mundin e mësimdhënësve dhe nxënësve gjatë gjithë vitit shkollor dhe nuk solli rritje të cilësisë. Do të përfshimë vlerësim dhe testim të nxënësve, por pa vënie të notave shtesë në dëftesat e tyre dhe pa dënime për mësimdhënësit. Vlerësimi i diturisë së fituar do të zbatohet në vazhdimësi – thuhet në programin qeveritar të LSDM-së.
I pyetur për përvojën e Ministrisë së Arsimit gjatë zbatimit të testimit ekstern, ministri Pishtar Lutfiu pranon që ka pasur ankesa për efikasitetin e tij por, sipas tij, me kalimin e kohës, mangësitë janë evituar.
Problemet që kanë qenë në fillim të projektit, të testimit ekstern tashmë janë minimizuar goxha që do të thotë se të gjithë ato telashe dhe gabime që kanë qenë në fillim dhe që janë bërë, tashmë janë minimizuar. Testimi ekstern nuk është bërë për të cenuar nxënësit ose arsimtarët por është bërë për të matur vlerat e kualitetit në arsim – dekalroi ministri i Arsimit, Pishtar Lutfiu.
Për ish ministrin e arsimit Sulejman Rushiti, testimi ekstern ka qenë eksperiment në kuadër të politikës ditore. Rushiti thotë se problemet me nivelin e arsimit në Maqedoni nuk vinë nga mësimdhënësit por nga politika.
Testimi ekstern u tregua si një mekanizëm i politikës ditore. Ashtu siç u zbatua nuk ishte aspak i nevojshëm për përmirësimin e cilësisë së arsimit. Për përmirësimin e cilësisë së arsimit ka mekanizma të tjerë, ka mënyra stimuluese dhe mund të përmend rritjen e cilësisë së profesionit të mësimdhënësit, duke dyfishuar rrugën e arsimtarëve. Ideja ime është që drejtorët e shkollave të zgjidhen me vota nga prindërit e nxënësve dhe mësimdhënësit kurse kryetarët e komunave apo ministria të kenë vetëm ndikimin korrigjues –tha Sulejman Rushiti, ish ministër i arsimit.
Ideja fillestare e testimit ekstern ishte që nëpërmjet nxënësve të testohen edhe mësimdhënësit të cilët shpesh u dënuan për rezultatet. Që nga fillimi i aplikimit, ai është përballur me ankesa dhe rezistencë të madhe nga nxënësit dhe prindërit. Deri tani është e paqartë nëse partitë politike shqiptare, partnere potenciale të koalicionit me LSDM-në, do ta përkrahin këtë propozim të LSDM-së, të evidentuar në programin e Qeverisë së ardhshme.
Fatlume Dervishi

