09 May
Përgjegjësia për Çavkovin ka qenë sot në rendin e ditës të mbledhjes së Qeverisë, e kërkuar ditë më parë nga ministri i Brendshëm Agim Nuhiu. Por, ALSAT mëson nga burimet e tij në Qeveri, se kryeministri Emil Dimitriev e ka shtyrë këtë çështje për në mbledhjen e ardhshme të ekzekutivit. Mësohet se ministri Nuhiu ka elaboruar propozimin e tij të dërguar disa ditë më parë, të shpallur edhe në konferencën e parë për shtyp menjëherë pas ngjarjeve në Kuvend, ku argumentoi rolin e dështuar të drejtorit për Siguri Publike Cavkov në mobilizimin e shtabit operativ për të frenuar përgjakjen në institucionin ligjvënës. Është elaboruar mosveprimi në kohë i forcave policore, si dhe moszbatimi i hierarkisë në Ministrinë e Brendshme. Siç mëson ALSAT, vendimi për këtë propozim do të merret në mbledhjen e ardhshme, pasi kryeministri teknik Emil Dimitriev ka kërkuar të dëgjojë edhe palën e akuzuar, vetë Çavkovin. ALSAT mëson gjithashtu, se në këtë çështje, gjithë ministrat e tjerë shqiptarë kanë qenë njëzëri në mbështetje të Nuhiut, për të penalizuar rolin e Çavkovit në moszbatimin e urdhrave në ditën e dhunës në kuvend.
Ndërkaq, në rrafshin tjetër, ALSAT mëson se edhe grupi i punës i themeluar nga ministri i Brendshëm Nuhiu vazhdon punën për vlerësimin e përgjegjësisë së eprorëve të MPB-së që nuk kanë kryer si duhet punën e tyre, në ngjarjet e 27 prillit. Grupi i Punës vepron me kompetenca më të gjera se vetë Kontrolli i Brendshëm i MPB-së, ndërkohë që po shqyrton 3 planet operative të Shtabit, koordinimin e punës mes hallkave lidhëse në MPB-së si dhe përgjegjësinë penale e disiplinore të këtyre punonjësve.
Senat Zylbehari

