Pesë vite pas vrasjes së pesëfishtë te Liqeni i Smilkovës, familjarët e viktimave Filip Sllavkovski, Aleksandar Naqevski, Cvetanço Arsovski dhe Kiro Trpkovski, si dhe të 45 vjeçarit Borçe Stevskovski janë mbledhur te varrezat e tyre për t’i kujtuar, raporton Telma.
“Pësuan fëmijët e pafajshëm për interesa të tjerëve”, thotë Rade Sllavkovski, babai i Filip Sllavkovskit.
Pas pesë viteve në zi, familjarët janë edhe në terr pa informacione se deri ku është rasti për të cilin lideri i opozitës paralajmëroi se “bombat” janë dorëzuar në PSP. në mesin e tyre ka edhe numra celularësh që konsiderohen si sekrete shtetërore, e për të cilët familjarët supozojnë se janë të pesë funksionarëve që kanë lidhje me krimin. Dyshojnë edhe në pazare politike.
“Nuk kemi kurrfarë informata nga PSP. Katica (Janeva) na premtoi se rasti Monstra do të jetë i pari, kurse tani doli që brekët e Ivonës janë para rastit tonë. Zaev na premtoi se do të na i tregojë të dhënat për ata 5 numra telefonash, por nuk e plotësoi këtë. Mendojmë se edhe VMRO-DPMNE edhe LSDM edhe BDI kanë bë Pazar si për thasë patatesh”, ka deklaruar Goran Naqoski, babai i Aleksandrit të vrarë.
“Krejt këto janë pazare. Bëjnë pazare ato tri parti, edhe pushteti edhe opozita, kurse ata duhet të tregojnë se çka ka ndodhur. Të dy partitë politike maqedonase bëjnë pazare me BDI-në. Edhe LSDM edhe VMRO-DPMNE negociojnë, për këtë rast konkret mendoj se diçka po fshehet. Janë të përzier shumë njerëz. Dyshojmë se pas atyre 5 numrave të fshehur qëndrojnë funksionarë të BDI-së”, deklaroi Rade Sllavkovski.
Nga PSP janë përgjigjur se deri tani nuk kanë kërkuar këtë lëndë nën kompetencat e veta, kurse për dëgjim të incizimeve dhe procedurë eventuale parahetimore nuk mund të japin informata.
Lidhur me vrasjen janë dënuar me burg të përjetshëm gjashtë persona, prej të cilëve dy (Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq) gjenden në Kosovë. Gjykata Supreme ende nuk ka vendosur lidhur me ankesat e katër të dënuarve që gjenden në burg (Agim Ismailoviq, Fejzi dhe Haki Aziri dhe Sami Luta). Ata thonë se janë të pafajshëm dhe se rasti i tyre është montuar.
Gjykata Supreme duhej të vendosë para ca kohe, mirëpo dy ditë para seancës papritmas dita ku duhej të shqyrtohet ankesa për Rastin Monstra, u shpall ditë jo pune si Ditë e Drurit.
“Askush të mos thotë se që nga pavarësia deri tani kemi pasur gjyqësor të pavarur. Secila parti që vjen e vendos gjyqësinë nën kontroll të vetin”, vlerëson Sllavkovski.
Familjarët e presin të vërtetën e plotë, kurse deri aty rrugën e shohin përmes ndryshimit të Ligjit për dëshmitarë të mbrojtur që i kërkonte PSP.
“Kjo mund të ndihmonte, mirëpo BDI fshehej në korridoret e Parlamentit. Nuk dëshironte të votohet. Që do të thotë se nuk u konvenon. Po të ju konvenonte do të vajtonin para ambasadës amerikane”, thotë Goran Naqovski.

