Familja Rrapaj, në fshatin Kuman të Roskovecit, ka hapur dyert e mortit pas tragjedisë të ndodhur mesditën e djeshme (24 mars), ku 80-vjeçari Shefit Rrapaj ka vrarë me armë ( pushkë) bashkëshorten e tij, Dashuri Rrapaj, 75 vjeçe e më pas qëlloi veten për vdekje.
Sipas burimeve konfidenciale, varrimi i dy viktimave do të bëhet i ndarë.
Dashuri Rrapaj do te përcillet për në banesën e fundit në Allambreas të Beratit, ku është bijë, në orën 13:00, ndërkohë që Shefit Rrapaj ndodhet ende në morgun e Fierit dhe trupi i tij ende nuk po tërhiqet nga familjarët.
Të 9-të fëmijët e çiftit ndodhen në banesën ku ndodhi krimi i dyfishtë dhe në një situatë tepër të rënduar emocionale do të përcjellin përcjellin për në banesën e fundit prindërit e tyre.
Motivet e krimit dyshohet se janë konfliktet e vazhdueshme të çiftit të moshuar, i cili edhe pak ditë më parë ka debatuar ashpër, aq sa është dashur ndërhyrja e Policisë.
Por edhe përpjekjet e bluve dështuan, pasi nuk e shmangën dot tragjedinë e dyfishtë vrasje-vetëvrasje në familjen Rrapaj.




