Ndihma sociale në Maqedoni për familjet në nevojë, për një muaj është 1700 denarë, ndërsa shporta e konsumatorit e përpiluar për herë të fundit nga Enti i statistikës në vitin 2015, e cila duhet të kënaq nevojat e një familje katërantarëshe për një muaj, është mbi 30 mijë denarë. Ndihmë sociale marrin familjet të cilat nuk janë në gjendje të sigurojnë të ardhura minimale për mbulimin e shpenzimeve elementare të jetesës, siç janë shpenzimet e banimit, ushqimit dhe të veshmbathjes.
Një ndër rastet e shumëta në vend me gjendje të rënduar ekonomike, është edhe familja e Remzi dhe Mihane Abazit, të cilët jetojnë në Butel 1. Familja Abazi sonte në tavolinën e shtruar për iftar do të kenë vetëm një kos dhe dy speca.
“Kurrgjo hic, vet e dini me 1700 denar cka mundet të blejë njeriu ose me pagu. As rrymën s’mundesh me e pagu me dasht. A duhet 30 ditë me ato 1700 denar me jetu, me hëngër me pi. Ashtu e ka llogarit shteti. Vallahi për Ramazan, marre me rrejt, jo s’kemi ble. Qe ku është frigoriferi mundeni me pa, pse me thënë po. Unë kam qef me ble, t’I kem aty, po s’kam”- thotë i dëshpëruar Remzi Abazi.
Mirëpo pavarësisht moshës së tij dhe problemeve shëndetësore, mes të cilave edhe një infarkt i kaluar pak kohë më parë, Remziu përpiqet të punojë si roje, sepse ndryshe qeran nuk e paguajnë dot, por kur shtohen edhe faturat nga ajo rrogë nuk ju mbetet për asgjë tjetër.
“Me qera jemi që 8 vjet, e paguajmë 5000 denarë, plus çka vjen rryma, uji. Në muaj 6000 denarë marr tek Sportlive, si roje, prej në 6 deri në 11 të natës. Asnjëher s’më ngelin. Bile duhet hala me shtu për me e pagu qeran. Më thanë me pi ilaçet një vit, unë veç një muaj i kam pi edhe mandej nuk kam mund t’i blej më, jo se s’kam dashur t’i pi për shëndetin tim”- thotë Remziu.
Më parë ka punuar edhe bashkëshortja e tij, Mihane Abazi, por për shkak të problemeve shëndetësore, nuk punon dot më dhe si dy anëtarët e vetëm të kësaj familje, sepse fëmijë nuk kanë, nuk ka kush tjetër të sjell të ardhura.
“Unë kam pas punu privat, ama tash nuk mundem se një këmbë më dhemb. Nuk mundem me punu më”- thotë Mihane Abazi.
Pavarësisht se me barkun bosh, shqetësimi i tyre më i madh është qeraja, të cilën pak muaj më parë e paguanin 4000 denarë, ndërsa tashmë i zoti i shtëpisë, i cili shtëpinë e ka nxjerr në shitje ju ka kërkuar 5000 denarë në muaj edhe pse shtëpia është e vjetër, me tavanin që mund të bjerë nga çasti në çast dhe me lagështirë gjithandej.
Remzi Abazi shpreson në njerëzit zemërmirë dhe që kanë mundësi t’i ndihmojnë.
“I falenderoj para kohë ata që duan të ndihmojnë, por edhe ata që me zemër duan të ndihmojnë, por që s’kanë mundësi”- thotë Remziu.
U larguam nga shtëpia modeste e çiftit Abazi, duke shpresuar se në vizitën e rradhës do t’i gjejmë më mirë dhe me më pak shqetësime.
Për të gjithë ata që duan të ndihmojnë mund të kontaktoni në këtë numër telefoni:
070-951-747
Përgatiti: Evi Shkopi
Montimi
Kameraman: Dejan Nedelkovski
Almakos.com