Fakulteti i Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, i përfaqësuar nga studentët Anila Pollozhani dhe Leonora Osmani mori pjesë në trajnimin e fundit në kuadër të Projektit Youth Erasmus + KA2 (IFCHEESE), me titull Fokusi inovativ i djathërave malorë të kombinuar me bimë aromatike duke ruajtur metodat tradicionale të prodhimit”.
Prodekani për shkencë i Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit, Doc. Dr. Erhan Sulejmani theksoi se projekti në fjalë ka filluar në nëntor të vitit 2017 dhe synon mbrojtjen e metodave tradicionale të prodhimit të djathërave, duke krijuar teknika të reja të marketingut me e-platformën komerciale. “Projekti do të zgjasë deri në fund të vitit 2019, respektivisht është në fazën e fundit të aktiviteteve lidhur dokumentimin e prodhimit dhe teknikave inovative të djathërave. Por, ajo që ia vlen të theksohet është se në kuadër të këtij projekti zhvillohen edhe dy tema masteri, duke hulumtuar dhe vërtetuar në aspektin shkencorë vlerat ushqyese, antioksidative dhe funksionale të djathërave tradicional, me përdorimin e bimëve aromatike në vende të ndryshme ku realizohet ky projekt”, u shpreh Doc. Dr. Erhan Sulejmani, koordinator i këtij projekti.
Në këtë trajnim, që u mbajt në Universitetin Ardahan të Republikës së Turqisë, përveç përfaqësueseve të Fakultetit të Teknologjisë Ushqimore dhe të Ushqyerit të Universitetit të Tetovës morën pjesë edhe përfaqësues nga Universiteti Manzur, si dhe përfaqësues të universiteteve nga Hungaria, Greqia dhe Qiproja Jugore.
Zyra për Informim


