Fakulteti Filozofik i Universitetit të Tetovës, më 17 prill 2026, ka nënshkruar një memorandum bashkëpunimi me Ambasadën e Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”, duke shënuar një hap të rëndësishëm drejt thellimit të bashkëpunimit institucional në funksion të mbështetjes, mbrojtjes dhe fuqizimit të të rinjve.
Memorandumi u nënshkrua nga dekani i Fakultetit Filozofik Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti dhe kryetari i kësaj organizate, z. Dragi Zmijanac.
Ky bashkëpunim synon të ndërthurë dimensionin teorik me atë praktik të formimit universitar, duke kontribuuar në zhvillimin e kompetencave profesionale, sociale dhe etike të studentëve.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, palët angazhohen për ndërtimin e një partneriteti të strukturuar në fushën e zhvillimit profesional, duke krijuar mekanizma për përfshirjen aktive të studentëve në praktikë profesionale, aktivitete në terren dhe projekte të tjera.


