Eurodeputetët Eduard Kukan, Knut Flekenshtajn dhe Ivo Vajgëll kanë drejtuar sërish kritika të ashpra në lidhje me prolongimin e zgjidhjes së krizës politike në vend. Pas takimit të realizuar sot në Strasburg me ministrin e jashtëm të Maqedonisë, Nikolla Poposki, tre eurodeputetët kanë dalë me një deklaratë të përbashkët, në të cilën kanë shprehur shqetësimin e tyre për zvarritjen e punës së Kuvendit. Ata i kanë quajtuar të paarsyeshme taktikat penguese që po përdoren në kuvend dhe po pengojnë zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit dhe formimin e Qeverisë.
“Si anëtarë të Parlamentit Europian që kanë mbështetur të gjitha përpjekjet për tejkalimin e krizës aktuale dhe që kanë punuar shumë për mbështetje të perspektivës europiane të qytetarëve të Maqedonisë, jemi thellë të shqetësuar që shohim prolongimin e paarsyeshëm të krizës dhe për pasojat në rritje për vendin, përfshirë përkeqësinmin e marrëdhënieve ndëretnike”, thuhet në komunikatën e tre eurodeputetëve.
Ata kanë theksuar se si pasojë e krizës poltike është shtyre dy herë votimi i raportit për Maqedonisë, por se pavarsisht kësaj, besojnë se kriza do të zgjidhet në rrugë demokratike.
“Votimi i Raportit të vendit për vitin 2016 tashmë është shtyrë dy herë si pasojë e drejtëpërdrejtë e pasigurisë në vend dhe sonte në seancën plenare të Parlamentit Evropian ne do të diskutojmë këtë situatë. Pavarësisht kësaj ne akoma besojmë fuqishëm se situata në vend mund të përmirësohet duke ndjekur rrugën demokratike dhe si rezultat kriza politike mund të tejkalohet”, thuhet më tej në komunikatë.
Eurdeputetët kanë bërë këtë deklaratë para seancës së sontme plenare të Parlamentit Evropian, në të cilën temë diskutimi do të jetë edhe situata politike në Maqedoni.
Teuta Buçi /SHENJA/
Eurodeputetët: Nuk arsyetohet zvarritja në Kuvend by tvshenjaofficial