Shefi i ri i Delegacionit të Bashkimit Evropian në vend, Mihalis Rokas, mendon se vështirë do të pranohet propozimi për zbatim të shtyrë të ndryshimeve kushtetuese nga Bashkimi Evropian.
Në një intervistë për MIA-n ambasadori evropian thotë se BE-ja është në dijeni për një propozim të tillë të Qeverisë, por në të njëjtën kohë sqaron se tashmë ka qëndrim për këtë çështje nga 27 shtetet anëtare të BE-së.
“Zgjerimi është një proces i bazuar në unanimitet, të gjithë jemi të vetëdijshëm për këtë propozim të Qeverisë. Mendimi im modest është se vështirë se do të pranohet.. Është thelbësore të sigurohemi që jemi të vetëdijshëm për këtë kontekst. Vendimi për ndryshime kushtetuese është vendim sovran i Qeverisë dhe është shumë i rëndësishëm. Ne kemi respekt të jashtëzakonshëm për mënyrën se si qeveria dëshiron të vazhdojë dhe zgjidhjet që dëshiron të arrijë”, ka thënë Roksas.
Shefi i Dslegacionit të BE-së nuk dëshiroi të komentojë propozimin e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, i cili ofroi ndërmjetësim në bisedimet mes Shkupit dhe Sofjes për zgjidhjen e mosmarrëveshjes.
Në ndërkohë, letra e paralajmëruar drejtuar liderëve të BE-së, në të cilën kryeministri Mickoski pritet t’i informojë për qëndrimet e RMV-së në lidhje me vazhdimin e procesit integrues drejt BE-së është ende në përgatitje e sipër.
Mickoski ka deklaruar se ajo që do të jetë në letër do të varet shumë nga ajo që do të dëgjojë në takimet që do të ketë në kryeqytetin gjerman në ditët në vijim.
“Letra është duke u përgatitur. Unë do të udhëtoj për në Berlin, ka takim të Procesit të Berlinit, do të flas me një numër politikanësh evropianë dhe para se të dërgoj letrën dhe përmbajtjen, dua të kem një pamje pak më të qartë se ku mund të shkojmë dhe çfarë mund të bëjmë”, deklaroi dje Mickoski.
Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.
Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.
Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.
Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.
Në ndërkohë, më 25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.