Banorët e një lagjeje në Spitallë të Durrësit u ngritën në protestë për një sërë problematikash që kanë të bëjnë me projektimin dhe zbatimin e rrugës së re.
Sipas tyre, rruga që po ndërtohet është pa projekt, trotuaret janë vetëm 30 centimetra dhe shtyllat elektrike janë në trotuar. Kanalizimet janë mbyllur duke u bërë shkak për përmbytje.
“Rruga është ngushtuar edhe si asfalt, kërkojmë rrugë e ndriçim. Hera e dytë që dalim, kryetarja e bashkisë duhet ta dijë, paguajmë taksa e të gjitha. Këtu nuk ka as gjelbërim, as ndriçim e as kazan. Po na vjedhin. Nuk ka as kazan mbeturinash. Këtu një herë ndërrohet ndriçimi. Njëherë në 4 vjet vijnë. Nuk vjen njeri ta shohim.”, u shpreh një banor.
“Problemi unë është se duke qenë pjesë e interesit nuk jemi pyetur se si do zhvillohet kjo rrugë. Nuk na është paraqitur një projekt fillestar i kësaj rruge. Nuk është bërë asnjë sqarim. Filluan njëherë i vunë tubat, i hoqën se dikush e ngriti zërin përpara. E kemi bërë një protestë dhe u hoqën disa tuba. Sa ranë në qetësi, vazhduan të njëjtën gjë. Nuk e di që të ketë trotuar 20 cm. Ëështë më keq sesa ka qenë. E dyta, rruga është ngritur mbi nivel, nuk është gërmuar siç është rregulli, dhe gjithë ujërat do të shkojnë nëpër shtëpitë e njerëzve. Kjo kartolinë sot në Durrës do të përsëritet më shumë nesër pasnesër.”, shtoi një tjetër.
Deputeti i PD-së, Igli Cara theksoi se kanë dëgjuar shqetësimet e banorëve, do të kërkojnë dokumentacionet e nevojshme dhe do të bëjnë kallëzim në organet e drejtësisë.
“Po bëhet një rrugë dhe jo më shumë se disa ditë më parë, kemi parë edhe efektet e ndërtimit të rrugëve. Banorët na thonë se tombinat nuk janë vendosur aty ku duhet, niveli i rrugës dhe kuota është mbi shtëpi dhe kuptohet që sa herë të ketë shi do të ketë përmbytje, dëme e rrezik. Një rrugë ku nuk ka trotuar, ku rrezikohet jeta çdo ditë më mirë mos e bëj investimin. Jemi dëshmitarë prej kohësh, kërkojmë edhe komisione hetimore për projektet që janë bërë në qytetin e Durrësit. Po kërkojmë pajisje me dokumentacione dhe më pas do të vijojmë me hapat e mëtejshëm, në prokurori e SPAK. Ky fenomen, përveçse është moral, është edhe ligjor. Prandaj vjen një moment dhe thua stop se nuk ka kuptim. Në çdo rrugë që është e projektuar për Durrësin gjithmonë ka këto probleme, ku nuk janë llogaritur përmbytjet ku do kalojnë fëmijët etj. Nuk është më punë partish, por morali njerëzor.”, shtoi deputeti.
Banorët kërkojnë ndërhyrje urgjente nga institucionet për zgjidhje të problemit, duke paralajmëruar se në të kundërtën do të vazhdojnë me protesta edhe më masive.


