Prokurori publik nga Prokuroria Themelore Publike Prilep, së bashku me një ekip të krim-teknikës nga SPB Prilep, kanë kryer inspektim në rrugën Prilep – Manastir, ku dje pasdite ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin një person e humbi jetën, ndërsa një u lëndua rëndë.
Sipas informacioneve fillestare, në aksident u përfshinë tre automjete – Fiat Dukato me targa të Prilepit, Audi A8 me targa bullgare dhe Fiat Doblo poashtu me targa të Prilepit.
“Në aksidentin e humbi jetën bashkëudhëtarja në automjetin Fiat Doblo, në moshën 36 vjeçe. Pasagjeri në automjetin Audi A8 i moshës 19 vjeç, fillimisht ishte shtruar në repartin e kujdesit intensiv në spitalin në Manastir, dhe më pas për shkak të seriozitetit të lëndimeve ai është transferuar në Qendrën Klinike në Shkup”, kumtuan nga PTHP.
Menjëherë pas inspektimit, prokurori publik lëshoi urdhër për sigurimin e gjurmëve dhe gjësendeve që mund të shërbejnë si provë për t’i përcaktuar shkaqet e aksidentit si dhe urdhër për autopsinë e trupit të së ndjerës.



