Enti Shtetëror i Revizionit, në raportin për punën e Qendrës Sportive dhe Rekreative “Boris Trajkovski” për periudhën e kaluar, ka theksuar se nuk ka evidencë se çfarë ka përfituar kjo qendër nga tenderët e Ministrisë së Punëve të Jashtme për rregullimin e saj në kuadër të pritjes së delegacioneve gjatë Takimit të OSBE-së që u mbajt në Shkup në vitin 2023.
“Në kuadër të kryesimit të Republikës së Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, në periudhën nga 30 nëntor deri më 1 dhjetor 2023, shoqëria me rekomandim të Qeverisë i ka ofruar MPJ-së përkrahje logjistike dhe ndihmë për adaptimin dhe rregullimin e jashtëm të objektit për nevojat e ngjarjes, punë që është kryer nga MPJ. Pas procedurave të realizuara për prokurim publik, MPJ ka lidhur disa kontrata me vlerë të përgjithshme prej 124.234 mijë denarë. Me revizionin është konstatuar se nuk janë dorëzuar procesverbale nga MPJ për të konfirmuar punët e kryera dhe pajisjet e instaluara që kanë mbetur në pronësi të qendrës. Gjithashtu, nuk është vepruar sipas dispozitave të kontratës së bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve – punët e kryera dhe pajisjet e instaluara ende nuk janë dhënë në përdorim të qendrës,” njofton Enti i Revizionit.
Revizorët kanë ngritur shqetësime edhe për sistemin e ngrohjes së pishinës që funksionon në kuadër të kësaj qendre sportive.
“Për më tepër, është vërejtur pasiguri për funksionimin e mëtejshëm të ‘sistemit solar’, i cili përfshin panele diellore dhe pompa termike për ngrohjen e pishinës. Qendra ka paguar 25.945 mijë denarë për sistemin solar, ndërsa sipas librave tregtarë të saj, vlera aktuale është 2.856 mijë denarë. Sistemi është vendosur në përdorim në vitin 2014 dhe ka funksionuar me ndërprerje deri në vitin 2023, por për shkak të mangësive teknike të paneleve solare, sistemi nuk funksionon dhe ende nuk është gjetur zgjidhje e përshtatshme për të,” theksohet në raport.
Revizioni ka zbuluar gjithashtu se akva-parku ka ndaluar së funksionuari pas skadimit të afatit të garancisë për pajisjet.
“Në vitin 2024, Akva-parku është mbyllur për shkak të joefikasitetit ekonomik si dhe për shkak të skadimit të afatit të garancisë prej 10 vitesh për pajisjet dhe instalimet e instaluara – periudhë në të cilën realizuesit garantojnë për cilësinë e punimeve,” shton raporti.
Enti Shtetëror i Revizionit përfundon se ekzistojnë edhe mangësi dhe mospërputhje të tjera që janë evidentuar, dhe u bën thirrje institucioneve përgjegjëse që të ndërmarrin masa për tejkalimin e tyre.