Enti Shtetëror i Revizionit ka konstatuar parregullsi të shumta dhe mos harmonizim në punën e komunës së Likovës dhe ka dhënë mëndim jo të favorshëm për raportet financiare për vitin 2024. Nga Revizioni kanë dhënë mendim negativ edhe për llogaritë e buxhetit dhe vërtetësinë e raporteve financiare për vitin 2024 të llogarisë së të ardhurave të buxhetit dhe dotacioneve. Sipas Revizionit, komuna nuk ka respektuar dispozitat e ligjit për kontabilitetin e buxheteve dhe përdoruesve të buxhetit për udhëheqjen e librave afarist. Nuk është bërë raport financiar për çdo llogari dhe librat afarist nuk janë mbyllur në fund të vitit.
“Për një pjesë të kërkesave që vijnë nga vitet e kaluara dhe për të cilat ekziston një pasiguri e madhe për arkëtimin e tyre, nuk është kryer rivlerësim. Për kërkesat për tatim mbi pronën në shumën prej 73.186 mijë denarë, pas dërgimit të paralajmërimeve, nuk janë ndërmarrë masa për arkëtim të detyruar, as nuk llogaritet dhe arkëtohet interesi për shumën e taksës së pronës që nuk është paguar brenda afatit të parashikuar. Komuna nuk ka krijuar regjistër të pronës së paluajtshme dhe nuk ka kryer rivlerësim të vlerës tregtare të pronës së paluajtshme. Si rezultat, 922 tatimpagues (18% nga numri i përgjithshëm i tatimpaguesve) paguajnë tatim të pronës prej më pak se 200 denarë, ndërsa nuk është kryer detyrimi për ata që kanë fituar pasuri shtesë ose të re në vitet e kaluara”, njoftojnë nga Enti i Revizionit.
Nga Revizioni kanë konstatuar gjithashtu se komuna nuk i ka respektuar dispozitat e ligjit për përcaktimin e statusit ligjor të objekteve të ndërtuara pa leje dhe i ka liruar nga pagesa e kompensimit. Komuna e Likovës gjithashtu nuk ka vendim për mirëmbajtjen e pastërtisë publike. Mbledhja dhe transporti i mbeturinave janë kompetencë e ndërmarrjes komunale PISHA, por pa asnjë marrëveshje me komunën.
“Në tre nga njëmbëdhjetë vendbanime ende nuk është ndërtuar rrjeti i ujësjellësit dhe nuk janë realizuar lidhjet deri te përdoruesit përfundimtarë, çka tregon se komuna nuk ka siguruar funksionalitetin e sistemit të furnizimit me ujë, në të cilin janë investuar 265,745 denarë. Rrugët e ndërtuara nuk janë parashikuar në dokumentacionin e planifikimit, nuk janë përgatitur projekte për ndërtimin e tyre nuk janë lëshuar leje për ndërtim”, thonë nga Enti i Revizionit.
Nga Enti Shtetëror i Revizionit i kanë dhënë një sërë rekomandimesh komunës së Likovës mes të cilave përpilimi i raporteve financiare për çdo llogari të komunës, mbylljen e evidencave afariste në fund të vitit fiskal, vulosjen dhe nënshkrimet e tyre. Dorëzimi i llogarive përfundimtare deri te Regjistri Qendror dhe Enti për Revizion si dhe azhurimi i faqes së internetit si instrument për komunikim me publikun. /Alsat.mk


