Kur inteligjenca artificiale mbetet vetëm ide – 48 projekte pa implementim në sektorin publik Inteligjenca artificiale është një prioritet global sot, por në shtetin ende nuk ka kornizë ligjore, strategji kombëtare apo koordinim institucional për zbatimin e saj. Nga viti 2012, Fondi për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik ka bashkëfinancuar 48 projekte të IA në vlerë prej 6.1 milionë euro, por për shkak të transparencës së pamjaftueshme, publicitetit të dobët dhe mungesës së qasjes sistematike, asnjë nga këto projekte nuk është zbatuar në sektorin publik.
Enti Shtetëror i Revizionit ka kryer revizionin e sistemeve të informacionit si revizion i suksesit me temën “Mundësitë për përdorimin e Inteligjencës Artificiale në sektorin publik”, me qëllim të vlerësimit nëse sektori publik është i përgatitur për të përdorur inteligjencën artificiale në aktivitetet e tij? Edhe pse inteligjenca artificiale është e njohur si një faktor i rëndësishëm për transformimin digjital, revizioni konstatoi se Strategjia Kombëtare dhe rregullativa ligjore për përcaktimin e rregullave për zbatimin e projekteve me inteligjencë artificiale në sektorin publik nuk janë miratuar.
Përdorimi i inteligjencës artificiale përmendet në disa dokumente strategjike, por më së shumti si pjesë e synimeve më të gjera, pa plane shoqëruese veprimi dhe pa qasje të koordinuar. Investimet në infrastrukturën e TIK-së për burimet e avancuara kërkimore, siç janë superkompjuterët, serverët e specializuar për përpunimin e të dhënave të mëdha dhe të mësuarit makinerik, zhvillimi i qendrave teknologjike janë të parëndësishme dhe kontribuojnë në uljen e interesit për projektet me përdorimin e intelegjencës artificiale. Pavarësisht se nuk është miratuar strategji kombëtare, as kornizë ligjore për zbatimin e IA-së në sektorin publik, në periudhën nga viti 2018 deri në vitin 2023, përmes Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik janë financuar 48 projekte me elementë të IA-së, me vlerë të përgjithshme prej 6.110.044 euro (375.768 mijë denarë).
Asnjë nga projektet e mbështetura për IA nuk është zbatuar në sektorin publik. Promovimi i pamjaftueshëm dhe mungesa e një regjistri publik të projekteve të IA e kufizojnë dukshmërinë, gjurmueshmërinë dhe zbatueshmërinë e tyre, që ndikon negativisht në mundësitë për zbatim, popullarizim dhe investime të mëtejshme të tyre në sektorin publik. Numri i projekteve të financuara me IA të zbatuar sipas fushave TI–13projekte, Mjekësi–7projekte, Bujqësi–7projekte, E-komerc–5 projekte, Marketing –4projekte.
Në 12 fusha (industria ajrore, industria auto/agro industria, veterina, e-biznesi, energjetika, shëndetësia, IT / financa, IT / arsimi, sektori publik, sektori juridik, prodhimi dhe financat), është bashkëfinancuar nga një projekt i lidhur me Inteligjencën Artificiale.
Edhe pse Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në vitin 2023 promovoi asistentin e parë digjital bazuar në inteligjencë artificiale, ADA, me qëllim rritjen e transparencës dhe përmirësimin e informimit për mundësitë e investimeve, ky mjet tashmë nuk është në funksion, pavarësisht investimit prej 150 mijë euro. Një nga arsyjet është mos vazhdimi i kontratës me operatorin ekonomik që e krijoi dhe e mirëmbajti aplikacionin. Edhe pse 96.99% e popullatës është e mbuluar me rrjet 5G, dhe mbi 68% e familjeve kanë akses në rrjete fikse me kapacitet shumë të lartë, Republika e Maqedonisë së Veriut ende nuk disponon me infrastrukturë digjitale moderne dhe gjithëpërfshirëse, e cila është parakusht për përdorimin e inteligjencës artificiale. Edhe përkundër paralajmërimeve, parku teknologjik në Shkup ende nuk është ndërtuar, ndërsa iniciativat ekzistuese mbeten të papërfunduara. Kjo tregon nevojën urgjente për investime në infrastrukturë që do të mundësojnë zbatimin e sigurt, të besueshëm dhe efikas të teknologjive të reja, në përputhje me rregullativën evropiane dhe objektivat strategjike për transformimin digjital. Inteligjenca artificiale ka potencialin të përmirësojë funksionimin e më shumë sektorëve, dhe ato:
Megjithatë, këto potenciale mbeten të pashfrytëzuara për shkak të mungesës së një strategjie kombëtare të IA-së, infrastrukturës adekuate dhe kuadër të kualifikuar. Disponueshmëria e kufizuar e të dhënave të hapura, koordinimi i dobët me trupat ndërkombëtarë dhe përgatitja e ulët institucionale paraqesin pengesa serioze për zhvillimin e inteligjencës artificiale në shtet. Qasja në të dhëna të hapura, të strukturuara dhe të lexueshme nga makina nga sektori publik është një nga parakushtet kryesore për zhvillimin e sistemeve të bazuara në IA. Edhe pse në vitin 2018 është vendosur Portali për të Dhëna të Hapura, ai nuk funksionon nga fillimi i vitit 2025, që e kufizon transparencën dhe potencialin inovativ të sektorit të biznesit . Për shkak të mosfunksionimit të portalit dhe mungesës së një kontakti të caktuar me Open Data Europe, shteti ynë nuk është përfshirë në raportet zyrtare për Open Data Maturity për vitet 2023 dhe 2024. Megjithatë, më 15 prill 2025, Ministria për Transformim Digjital emëroi një përfaqësues dhe e rifilloi procesin për përfshirje në analizat evropiane. Sa i përket gatishmërisë për përdorimin e IA-së në sektorin publik, ekzistojnë më shumë hulumtime dhe renditje. Indeksi Global për Përdorimin e Përgjegjshëm të Inteligjencës Artificiale (GIRAI), për Evropën Juglindore, vendi ynë renditet në vendin e 6-të nga 9 shtetet e vlerësuara. Nga ana tjetër, sipas Indeksit Global të Inovacionit (GII) për vitin 2024, Maqedonia ka shënuar rënie për katër pozita – nga vendi i 54-të në të 58-in. Edhe Indeksi për Gatishmërinë për IA i FMN-së i pozicionuar në vendin e 77-të nga 174 shtete, çka tregon se, megjithëse ekziston potencial, janë të nevojshme përmirësime të konsiderueshme në infrastrukturën digjitale, kapitalin njerëzor, inovacionin dhe integrimin ekonomik, si dhe në rregullativën dhe etikën në fushën e inteligjencës artificiale. Universitetet në Republikën e Maqedonisë së Veriut luajnë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e kapaciteteve njerëzore për zhvillimin e inteligjencës artificiale, por mungon lidhja sistematike me sektorin publik dhe platformë të përbashkët për bashkëpunim. Sipas përgjigjeve të marra nga 6 institucione të arsimit të lartë, kapacitetin më të madh e kanë FINKI dhe FEIT pranë UKIM-it, me gjithsej mbi 1.700 punime diplome, 220 mastera dhe 37 disertacione doktorature të lidhura me IA-në. Disa nga universitetet marrin pjesë në projekte të NLP-së si TTS-MK dhe ChatMed. Megjithatë, mungojnë regjistrat publik, programe të formalizuara për rikualifikim dhe evidencë e centralizuar e kuadrove të trajnuar për IA, me çka kufizohet potenciali për zhvillim të koordinuar të këtij sektori kyç. . Projektet për përpunimin e gjuhës natyrore (NLP) paraqesin hapa të rëndësishëm drejt zhvillimit lokal të inteligjencës artificiale, me fokus në ruajtjen dhe zbatimin praktik të gjuhës maqedonase. Modeli “Buki”, i zhvilluar nga UKIM në vitin 2024, mundëson transkriptim automatik të të folurës në tekst me pikësim dhe gramatikë, i zbatueshëm në arsim, administratën publike dhe për persona me aftësi të kufizuara. Në kuadër të projektit pilot për numrin 112, përdoret inteligjenca artificiale për analizë në kohë reale dhe rekomandime gjatë thirrjeve emergjente, por zbatimi i plotë i tij është i kufizuar për shkak të kërkesave shtesë financiare dhe mungesës së kornizës ligjore. Këto iniciativa e tregojnë nevojën për investime të përkushtuara, përshtatje gjuhësore dhe mbështetje institucionale, në mënyrë që të shfrytëzohet plotësisht potenciali i inteligjencës artificiale në fusha kritike me interes publik. Edhe pse korniza legjislative për mbrojtjen e të dhënave personale është i harmonizuar me GDPR-në e BE-së, revizioni konstatoi se zbatimi i këtyre standardeve gjatë implementimit të projekteve me inteligjencë artificiale është i pamjaftueshëm dhe i rrezikshëm. Projektet si sistemi 112, ku testohet transkriptimi dhe përkthimi në kohë reale me inteligjencë artificiale, kërkojnë vlerësim të veçantë të ndikimit në privatësi (VNMDHP), por një praktikë e tillë ende nuk është e vendosur në mënyrë sistematike. Agjencia për mbrojtjen e të dhënave personale, me vetëm 20 punonjës dhe pavarësi institucionale të kufizuar, nuk disponon me kapacitet të mjaftueshme për mbikëqyrje, dhe nuk është e përfshirë as në përgatitjen e ligjeve të sektorit. Sipas Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2024, “nuk është arritur përparim në mbrojtjen e të dhënave personale’’, gjatë së cilës vërehet koordinim i dobët, monitorimi jo funksional i rekomandimeve dhe llogaridhënie të pamjaftueshme nga institucionet.
Në mungesë të rregullativës adekuate kombëtare ligjore për këto projekte, të harmonizuar me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale, nuk mund të garantohet mbrojtja e të dhënave personale të qytetarëve. Edhe pse korniza ligjore për mbrojtjen e të dhënave personale është i harmonizuar me BE-në, nevojiten mekanizma efektivë të kontrollit gjatë zbatimit të teknologjive të IA. Shteti disponon me bazë për zhvillimin e standardeve etike gjatë zbatimit të inteligjencës artificiale, por deri tani nuk ekziston një mekanizëm i formalizuar dhe gjithëpërfshirës që i rregullon të gjitha aspektet etike. Edhe pse Agjencia për Mbrojtjen e të Dhënave Personale ka rol në mbikëqyrjen e privatësisë, nevojiten mekanizma shtesë institucionalë dhe ligjorë që do të sigurojnë zbatimin etik, transparent dhe jodikriminues të IA-së nga sektori publik dhe në përputhje me standardet evropiane. Revizioni është zbatuar si revizion i suksesit, në përputhje me Programin Vjetor të punës së ESHR-së për vitin 2024, dhe përbën pjesë të një revizioni paralel në kuadër të grupit punues për TI të EUROSAI-t, i koordinuar nga ISR i Izraelit, me pjesëmarrjen e 11 institucioneve supreme të revizionit.