Gjykata e Lartë ka marrë vendimin për të lënë në fuqi vendimin e Apelit, nga e cila ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji u dënua me 1 vit heqje lirie.
Kërkesa e paraqitur nga Salianji dhe përfaqësuesit e tij ligjor u shqyrtua nga treshja e gjyqtarëve Ilir Panda, Sander Simoni dhe Sokol Binaj (relator).
Seanca gjyqësore u zhvillua në dhomë këshillimi.
Kujtojmë që demokrati u dënua nga Gjykata e Apelit më 26 Shtator me 1 vit heqje lirie. Salianji u vetëdorëzua në Policinë e Tiranës një ditë pas dhënies së vendimit nga togat e zeza dhe u dërgua në burgun e Fierit ku do të vuajë dënimin.
Katër ditë pas dënimit me burg, ish-deputeti kërkoi pezullimin e vendimit të Apelit.
“Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale. Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit”, thuhet ne shkresen drejtuar Gjykates se Larte.
Ish-deputeti i PD, i cili e cilëson dënimin të padrejtë dhe pa prova, pretendon se nuk i janë vënë në dispozicion aktet e dosjes dhe vendimit të Apelit, para se të burgosej.
Sipas tij Prokuroria dhe Gjykata kanë nxituar në ekzekutimin e vendimit, duke theksuar se duhet të pritej një herë zbardhja e vendimit apo rekursi në Gjykatën e Lartë.
Më 30 shtator, Parlamenti u njoftua për dënimin e formës së prerë nga Apeli i Tiranës, gjë që çoi edhe në humbjen e mandatit përfundimtar të Salianjit.
I nderuar Z. Kryetar,
Të nderuar anëtarë të trupit gjykues, Kërkuesi Ervin Salianji është aktualisht deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. Ne datën 14.05.2018, rreth orës 11:30, në një konferencë për shtyp të organizuar në selinë e Partisë Demokratike, është publikuar një material audio, ku sipas njërit nga personazhet e regjistrimit (që është edhe i pandehur në këtë gjykim) në të paraqiteshin të dhëna mbi aktivitetin kriminal të shtetasit Geron (Agron) Xhafaj (vëllai i Ministrit të Brendshëm të kohës).
Publikimi është bërë nga deputetet Ervin Salianji dhe Enkelejd Alibeaj, si dhe funksionari i PD-se në atë kohë, shtetasi Gazment Bardhi. Në këtë material paraqitej regjistrimi ambiental i zërit dhe i transkriptuar, i një personi të cilësuar si “Bashkëpunëtori X”, i cili kryente një bisedë telefonike në një automjet në ecje, me një person tjetër, shtetasi Geron (Agron) Xhafaj.
Më tej, së bashku edhe me komentet me shkrim, vazhdohet me një regjistrim “audio” të një bisede ambientale që paraqitet si e zhvilluar midis personit të cilësuar “Bashkëpunëtori X” dhe shtetasit Agron Xhafaj, tek lokali i këtij të fundit në qytetin e Vlorës. Pas këtij momenti, në datën 15.05.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë ka regjistruar procedimin penal nr. 3852, për veprën penale të “Kallëzimit të rremë”, parashikuar nga neni 305 i K.Penal.
Regjistrimi i këtij procedimi penal, është kryer mbi bazën e kallëzimit të bërë më datë 14.05.2018, nga shtetasi (kallëzuesi) Geron (Agron) Xhafaj, ndaj shtetasve Ervin Salianji, Gazmend Bardhi dhe Enkelejd Alibeaj. Po ashtu, në datën 17.05.2018, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda regjistroi procedimin penal nr. 95, për veprën penale të “Trafikimi i narkotikëve”, parashikuar nga neni 283/a i K.Penal, Regjistrimi i këtij procedimi, u bë bazuar në denoncimin e kryer nga selia e Partisë Demokratike në datë 14.05.2018.
Pas përfundimit të hetimeve, Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka paraqitur pranë Gjykatë së Rrethit Gjyqësor Tiranë kërkesën për gjykimin e çështjes penale në ngarkim të të pandehurit Albert Veliu i akuzuar për kryerjen e veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe “Kallëzimi i rremë i kryer në bashkëpunim” të parashikuara nga nenet 297, 305 e 25 të K.Penal, si dhe në ngarkim të të pandehurve Fredi Alizoti, Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, të akuzuar për kryerjen e veprës penale “Kallëzimi i rremë i kryer në bashkëpunim” të parashikuar nga nenet 305 e 25 të K.Penal. GJYKIMI NË GJYKATËN E SHKALLËS SË PARË Gjykimi në gjykatën e shkallës së parë u zhvilluar nën ritin e gjykimit të zakonshëm. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 2900, date 18.12.2019 ka vendosur:
– “1.Të deklarojë fajtor të pandehurin Albert Veliu për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” dhe në bazë të nenit 297 te Kodit Penal, e dënon me 10 (dhjete) muaj burgim. – Të deklarojë fajtor të pandehurin Albert Veliu për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 2 (dy) vjet e 10 (dhjete) muaj burgim. – Ne aplikim te nenit 55 te Kodit Penal, ne bashkim te dënimeve, dënimin e te pandehurit Albert Veliu me 3 (tre) vjet e 5 (pese) muaj burgim. – Afati i vuajtjes së dënimit për të pandehurin Albert Veliu fillon nga dita e kapjes së tij pasi ky vendim te marr forme te prere. – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Albert Veliu, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.
– 2. Të deklaroje fajtor të pandehurin Fredi Alizoti për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 2 (dy) vjet burgim. – Afati i vuajtjes së dënimit për të pandehurin Fredi Alizoti fillon nga data e masës shtrënguese personale “Arrest në burg”. – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Fredi Alizoti, do kryhet në një nga burgjet e sigurise së zakonshme.
– 3.Të deklaroje fajtor të pandehurin Jetmir Olldashi për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te Kodit Penal, e dënon me 6 (gjashte) muaj burgim. – Në zbatim të nenit 63 të Kodit Penal, të pezullohet ekzekutimi i dënimit me burgim dhe zëvendësimin e tij, me detyrimin e të pandehurit Jetmir Olldashi për të kryer 100 (njeqind) orë pune në interes publik. – Detyrohet i pandehuri te mbaje kontakte me Zyrën e Shërbimit të Provës të vendbanimit te tij.
– Heqjen e masës se sigurimit “Detyrim për paraqitje ne policinë gjyqësore” te parashikuar nga neni 234 i K.Pr.Penale dhënë me vendimin Nr. 2103 Regj.Them datë 12.11.2018 të Gjykatës së Rrethit Gjyqesor Tirane.
– 4.Të deklaroje fajtor të pandehurin Ervin Salianji për veprën penale “Kallëzimi i rremë”, kryer në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 305 e 25 te K.Penal, e dënon me 1(një) vit burgim. – Vuajtja e dënimit për te pandehurin Ervin Salianji, fillon nga dita qe ky vendim merr forme te prere. – Vuajtja e dënimit për të pandehurin Ervin Salianji, do kryhet në një nga burgjet e sigurisë së zakonshme. – Provat materiale të sekuestruar bazuar në nenin 190, pika 1, gërma “ç”, të K.Pr.Penale, konkretisht:
– 1.Një aparat telefonik celular i markës “Samsung” me nr. IMEI 356456094429945, kartë SIM 0685579637
– 2.Një aparat telefonik celular i markës “Samsung” me nr. IMEI 35504904136882, kartë SIM 0676494091, t’i kthehen të pandehurit Fredi Alizoti.
– Shpenzimet procedurale të fazës së hetimeve paraprake si dhe shpenzimet gjyqësore, jane në ngarkim të të pandehurve në mënyre solidare. – Kundër vendimit mund të bëhet ankim nga palët brenda 15(pesëmbëdhjetë) ditëve ne Gjykatën e Apelit Tirane duke filluar ky afat nga e nesërmja e shpalljes së këtij vendimi. Një kopje e këtij vendimi t’’i komunikohet përfaqësuesve te viktimës.
– U shpall në Tirane, sot më datë 18.12.2019.” Kundër këtij vendimi ka paraqitur ankim i pandehuri Ervin Salianji, i cili ka kërkuar “Ndryshimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit gjyqësor Tiranë dhe deklarimin e tij të pafajshëm”.
GJYKIMI NË GJYKATËN E APELIT
Në shqyrtim të këtij ankimi, Gjykata e Apelit e Juridiksionit të Përgjithshëm, me anë të vendimit Nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024, ka vendosur: 1. Mospranimin e ankimit të ushtruar nga i pandehuri Fredi Alizoti, ndaj vendimit Nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë; 2. Lënien në fuqi të vendiit Nr. 2900, datë 18.12.2019 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Kundër vendimit lejohet rekurs në Gjykatën e Lartë brenda 45 ditëve duke filluar ky afat nga e nesërmja e komunikimit të vendimit. U shpall në Tiranë, sot më datë 26.09.2024.
PËR PEZULLIMIN E EKZEKUTIMIT TË VENDIMIT TË GJYKATËS SË APELIT TË JURIDIKSIONIT TË PËRGJITHSHËM Neni 417 pika 1 e K.Pr.Penale, parashikon se:
“1. Ekzekutimi i vendimit të ankimuar pezullohet deri në përfundimin e gjykimit në gjykatën e apelit me përjashtim të rasteve kur ligji parashikon ndryshe. Në rastet e rekursit, vendimi mund të pezullohet nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë vetëm në rastet e parashikuara nga pika 1 e nenit 476 të këtij Kodi.”. Duke qenë se dispozita e sipërcituar, është dispozitë referuese, po i referohemi nenit 476 pika 1 shkronjat “c” dhe “ç” të K.Pr.Penale që parashikojnë se:
“1. Gjykata që ka dhënë vendimin e dënimit, me kërkesën e të dënuarit, të mbrojtësit ose të prokurorit, mund të vendosë shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në këto raste: … c) kur vuajtja e menjëhershme e dënimit mund të sjellë pasoja të rënda për të dënuarin ose familjen e tij. Shtyrja e ekzekutimit në këto raste nuk mund të zgjatet më tepër se gjashtë muaj. ç) në çdo rast tjetër që çmohet nga gjykata si i veçantë, duke u shtyrë ekzekutimi gjer në tre muaj”.
Në lidhje me këtë kërkesë, duke qenë se vendimi i Gjykatë së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm nuk na është vënë në dispozicion as i arsyetuar dhe as i përmbledhur, si fillim kemi depozituar një “Rekurs të përmbledhur” pranë kësaj gjykate, duke ruajtuar të drejtën për plotësimin e tij pas njoftimit të vendimit të arsyetuar të gjykatës, Në lidhje me këtë fakt i jemi referuar qëndrimit të mbajtur nga Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë me vendimin Nr. 00-2024-1288 Vendimi, datë 12.07.2024, ku në lidhje me këtë element ka arsyetuar se: “Kolegji thekson se, në zbatim të nenit 417 të KPP, depozitimi i rekursit është parakusht për vënien në lëvizje të Kolegjit Penal për shqyrtimin e kërkesave për pezullimin e ekzekutimit.
Referuar këtyre dispozitave, Kolegji Penal konstaton se kërkesa objekt shqyrtimi plotëson kriteret formale të pranueshmërisë, është nënshkruar nga mbrojtësi i zgjedhur, është paraqitur rekursi (ndonëse është i përmbledhur), si dhe kërkesa është shoqëruar me aktet e domosdoshme, përfshi këtu edhe vendimin për të cilin kërkohet pezullimi i ekzekutimit. Në fakt, së bashku me aktet mungon vendimi i arsyetuar i Gjykatës së Posaçme të Apelit, por është depozituar vendimi i gjykatës së shkallës së parë dhe shkurtimi i vendimit, ku rezulton se, me vendimin e rekursuar, është lënë në fuqi vendimi i gjykatës së shkallës së parë, si në lidhje me fajësinë, ashtu edhe me dënimin e caktuar për të kërkuesin Dh. A. B..
Në përmbushje të kërkesës së Gjykatës së Lartë për paraqitjen e rekursit të plotë dhe vendimit të rekursuar (të arsyetuar), mbrojtësja e kërkuesit ka sqaruar arsyet përse ato janë në pamundësi për ta paraqitur edhe këtë akt, arsye që nuk varen nga kërkuesi dhe mbrojtja dhe si rrjedhojë Kolegji vlerëson se këto rrethana/shkaqe nuk mund t’i kundërdrejtohen të dënuarit.
Në rrethanat procedurale të parashtruara, Kolegji çmoi të vijojë me shqyrtimin e kësaj kërkese në themel.” Në lidhje me veçantinë e rastit objekt kërkimi, vlen të theksojmë se kërkuesi është deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, fakt ky i konstatuar edhe nga Drejtuesi i Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë me shkresën Nr. 6427 Prot., datë 27.09.2024 me lëndë “Dërgohet për ekzekutim vendimi penal në ngarkim të të dënuarit Ervin Bujar Salianji”, shkresë kjo të cilën ja ka vënë për dijeni, së bashku me praktikën përkatëse edhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Ky element i rëndësishëm është theksuar edhe në Urdhrin Nr. ___, datë 27.09.2024 “Për ekzekutimin e vendimit penal Nr. 2900, datë 18.12.2019 “Për ekzekutimin e dënimit të dhënë për të dënuarin” Ervin Salianji” të Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, ku prokurorja Elona Alvora, ka urdhëruar, ndër të tjera:
“1. Ekzekutimin e vendimit penal nr. 2900, datë 18.12.2019, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, i cili ka marrë formë të prerë më datë 26.09.2024, për të dënuarin Ervin Bujar Salianji, për kryerjen e veprës penale “Kallëzimi i rremë” (kryer në bashkëpunim) parashikuar nga neni 305 e 25 i Kodit Penal.
- Me zbatimin e këtij urdhri ngarkohen: 2.1 I dënuari duhet të vuajë dënimin në masën 1 (një) vit burgim në një burg të sigurisë së zakonshme. Në kushtet kur hetimi dhe gjykimi i shtetasit Ervin Bujar Salianji është bërë në gjendje të lirë, ngarkohet me ekzekutimin e kësaj pike të vendimit gjyqësor Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë.
- Ku urdhër t’i njoftohet të dënuarit Ervin Bujar Salianji, mbrojtësit, Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, Kuvendit të Republikës së Shqipërisë (për shkak se i dënuari gëzon statusin e deputetit), si dhe Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë”. Duke patur parasysh që si në kohën e kryerjes së denoncimit e po ashtu edhe aktualisht ai është në cilësinë e deputetit të Partisë Demokratike, deklaratat e tij duhet të vlerësohen në funksion të përmbushjes së funksionit të tij politik dhe të lirisë së shprehjes të mbrojtura nga neni 10 i KEDNJ dhe Kushtetuta e RSH.
Gjykata Europiane për të Drejtat e Njeriut në vendimmarrjen e saj, ka arsyetuar se procedimi penal përbën ndërhyrje në lirinë e këtyre subjekteve për t’u shprehur, duke arritur në përfundimin se për një politikan, person publik të zgjedhur, liria e shprehjes është veçanërisht e rëndësishme dhe do të duheshin argumente tepër të fortë për të justifikuar ndërhyrjen në të drejtën e tyre për lirinë e shprehjes dhe vlerësimit ndaj tyre, si qëndrime në lidhje me fakte apo si gjykime vlerësuese. Referuar dhe jurisprudencës të konsoliduar të Gjykatës së Lartë, në raste analoge, është marrë në konsideratë, analizuar dhe vlerësuar, momenti (koha) e bërjes së këtyre deklarimeve, konteksti politik i tyre dhe veçanërisht në kuadër të përballjes politike në vend.
Në lidhje me cilësinë aktuale të deputetit, do i referohemi faktit që ende nuk ka një vendimmarrje të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve në zbatim të nenit 164 të K.Zgjedhor1, çka do të thotë që pezullimi i ekzekutimit është i rëndësishëm përveçse për vuajtjen e dënimit me burgim, por edhe për ruajtjen e mandatit të deputetit si një mandat që i takon popullit. Duke qenë se kërkuesi Ervin Salianji është zgjedhur deputet nga populli me mbi 10 mijë vota preferenciale në zgjedhjet e vitit 2021, zgjedhje këto të zhvilluara pas vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë (18.12.2019), vendim ky i lënë në fuqi me vendimin e Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, është tregues i shkakut të veçantë që paraqet ky rast në kuptim të nenit 476 pika 1 të K.Pr.Penale.
Besimi me votë që i ka dhënë populli, pavarësisht një vendimmarrje gjykate të dhënë më parë, është tregues i veçantisë që ka rasti objekt shqyrtimi, për më tepër që sovraniteti në Republikën e Shqipërisë i përket popullit. Në lidhje me efektet e ekzekutimit të dënimit më burg të kërkuesit, i referohemi vendimmarrjeve të Gjykatës Kushtetuese, në lidhje me ratio e dënimit penal. Më konkretisht, Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 47, datë 26.07.2012, ka arsyetuar ndër të tjera se: “24. Për sa i përket ratio të dënimit penal, Gjykata, në jurisprudencën e saj është shprehur se dënimi penal përmbush dy funksione të ndryshme, të cilat mund të konsiderohen si edukative.
Nga njëra anë qëndron funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale, pasi kërcënimi se shteti do të zbatojë sanksione penale sa herë që shtetasit do të kryejnë veprime të dënueshme nga legjislacioni penal, funksionon si një mënyrë për të dekurajuar dhe parandaluar cilindo nga shtetasit që të ndërmarrë veprime që bien në kundërshtim me normat penale. Nga ana tjetër qëndron funksioni i parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale (shih vendimin nr.19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese). 25.
Në përputhje me frymën e Kushtetutës, sanksioni penal i cilësdo natyre duhet të synojë vetëm riedukimin dhe më pas integrimin e të dënuarit në jetën shoqërore. Gjykata, duke pasur parasysh dhe doktrinën e konsoliduar evropiane në këtë fushë, ka theksuar se, që të jetë i pranueshëm dënimi penal në aspektin kushtetues, në përputhje me nenin 17/1 të Kushtetutës, duhet të jetë i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën. Në këtë mënyrë, që të mund të ketë një proces riedukativ të suksesshëm, duhet që ndëshkimi penal të perceptohet nga autori i veprës si i drejtë dhe në përpjesëtim me veprën e kryer (shih vendimin nr.19, datë 01.06.2011 të Gjykatës Kushtetuese). …
28. Nga ana tjetër, Gjykata thekson se legjislacioni penal ka për detyrë të mbrojë vlera të rëndësishme të tilla si pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e tij territoriale, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën etj. (shih nenin 1/b të KP-së). Ai bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit (shih nenin 1/c të KP-së). Ky legjislacion është një tregues kuptimplotë për çdo vend, në kuptimin se sa ai është në gjendje të balancojë të drejtën e shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror nga njëra anë, me të drejtat dhe liritë e individit nga ana tjetër (shih vendimin nr.1, datë 12.01.2011 të Gjykatës Kushtetuese).
29. Si përfundim, nga analiza e mësipërme, Gjykata çmon se nevojat dhe pritshmëritë e kontrollit social të realiteteve të ndryshme sociale duket sikur gjejnë “përkthim” në politikat penale të
rendeve juridike të ndryshme sipas strategjive të ndërhyrjes ndëshkuese të karakterizuara nga instrumente me natyrë të ndryshme (ndëshkuese në kuptim të ngushtë, ndaluese apo mbikëqyrëse). Në këtë drejtim, Gjykata vëren se nëse domosdoshmëria e sanksionit penal nuk vihet në diskutim, ajo që diskutohet, në rastin konkret, është “strategjia e ndërhyrjes ndëshkuese” nga ana e ligjvënësit për të përmbushur qëllimin e dënimit, funksionin parandalues të tij dhe atë riedukues, të cilat janë dhe funksionet themelore të legjislacionit penal. … .Parimi i proporcionalitetit rrjedh nga parimi i shtetit të së drejtës, në fakt nga vetë thelbi i të drejtave themelore, sidomos i lirisë personale, të cilat duhet të kufizohen nga pushteti shtetëror vetëm në atë masë sa të jetë e domosdoshme për mbrojtjen e interesave publike.
Pra, rëndësi të veçantë në fushën penale, sidomos në atë të parashikimit të dënimeve dhe ekzekutimit të tyre, zë mbrojtja e të drejtave të njeriut. Kjo do të thotë se edhe pse prej kohësh e drejta penale ka detyrën e mbrojtjes së bazave të një bashkëjetese të rregulluar në shoqëri, ajo nuk është mjeti kryesor i mbrojtjes ligjore me gjithë karakterin e saj më të fuqishëm. Si pasojë, përdorimi i saj duhet t’i nënshtrohet kërkesave të parimit të proporcionalitetit. Për këtë arsye, neni 1, paragrafi 1, i Ligjit Themelor Gjerman, përcakton konceptin e thelbit të dënimit dhe raportin e fajit me dënimin, në kuptimin që çdo dënim duhet të jetë në një raport të drejtë me rrezikshmërinë e veprës penale dhe me shkallën e fajit të autorit (shih vendimet BVerfGE 19,342; BVerfGE 88, 203; BVerfGE 45, 187 të Gjykatës Kushtetuese Gjermane)”.
Po i njëjti qëndrim është konfirmuar edhe me vendimin nr. 9, datë 26.02.2016 të Gjykatës Kushtetuese që ndër të tjera ka arsyetuar se: “17. Gjykata ka theksuar se legjislacioni penal ka për detyrë të mbrojë vlera të rëndësishme, të tilla si pavarësinë e shtetit dhe tërësinë e tij territoriale, dinjitetin e njeriut, të drejtat dhe liritë e tij, rendin kushtetues, pronën etj. (neni 1/b të KP-së). Ai bazohet në parimet kushtetuese të shtetit të së drejtës, të barazisë përpara ligjit, të drejtësisë në caktimin e fajësisë dhe të dënimit, si dhe të humanizmit (neni 1/c të KP-së). Ky legjislacion është një tregues kuptimplotë për çdo vend, në kuptimin se sa ai është në gjendje të balancojë të drejtën e shtetit për të siguruar rendin publik e shoqëror, nga njëra anë, me të drejtat dhe liritë e individit, nga ana tjetër (shih vendimet nr.1, datë 12.01.2011; nr.47, datë 27.06.2012 të Gjykatës Kushtetuese). …
Koncepti i fajit dhe përcaktueshmëria e pasojave juridike janë në një marrëdhënie tensioni njëra me tjetrën, marrëdhënie kjo për të cilën duhet gjetur një balancë funksionale kushtetuese (shih vendimin BVerfGE 105, 135 të Gjykatës Kushtetuese Gjermane). 25. Prandaj kjo Gjykatë ka vlerësuar se dënimi penal është rezultat i vlerësimit të rrezikshmërisë shoqërore të veprës penale, nga njëra anë, dhe shkallës së fajit të autorit të saj, nga ana tjetër. Në këtë drejtim, përcaktimi i veprave penale dhe llojeve të dënimeve janë në diskrecion të ligjvënësit, ndërsa individualizimi i tyre, rast pas rasti, është në diskrecion të gjykatës, e cila duke shqyrtuar të gjitha elementet juridike të veprës penale, shkallën e fajit dhe pasojat e ardhura nga vepra penale, cakton llojin dhe masën e dënimit për autorët e veprave penale (shih vendimin nr.47, datë 27.06.2012 të Gjykatës Kushtetuese)”.
Duke ju referuar jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, duket qartë që në rastin objekt gjykimi është përmbushur funksioni i parandalimit të përgjithshëm të veprave penale për shkak të vetë publicitetit që kjo çështje ka pasur. Ndërkohë që në lidhje me funksionin e parandalimit të posaçëm, i cili lidhet drejtpërsëdrejti me autorin e veprës, pasi duke zbatuar sanksionin penal synohet riedukimi i tij në mënyrë që, pas kryerjes së dënimit, të mos ndërmarrë në të ardhmen veprime kriminale, ajo që ne kërkojmë nëpërmjet kësaj kërkese është pezullimi i ekzekutimit, ose shtyrja e tij në kohë për tre muaj, referuar faktit që është dënuar me vendim të formës së prerë me burgim një deputet i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për një denoncim publik të kryer në maj të vitit 2018, denoncim ky që në kundërshtim me çdo normë të rendit juridik në fuqi në vendin tonë, është konsideruar si konsumim i veprës penale të “kallëzimit të rremë” të parashikuar nga neni 305 i K.Penal.
Po ashtu, është e qartë se ky vendim ka pasoja shumë të rënda për të dënuarin, pasi ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimit sjell mbarimin e mandatit të deputetit, në kuptim të nenit 71, pika 2, gërma “dh”, të Kushtetutës. Nga ana tjetër, ekzekutimi i menjëhershëm i këtij vendimi pengon kandidimin në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen në periudhën prill – maj 2025, ku zoti Salianji është caktuar drejtues politik i Partisë Demokratike për qarkun e Elbasanit, në kuptim të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Gjithashtu vlen të theksohet fakti se ekzekutimi i këtij vendimi, është iniciuar pa u arsyetuar, por vetëm me dispozitiv (vendim i shkurtuar), format ky që nuk njihet nga K.Pr.Penale apo nga ligji nr. 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”, fakt ky që na pamundëson edhe depozitimin e rekursit pranë Gjykatës së Lartë.
Po ashtu, element tjetër i rëndësishëm që duhet te merret parasysh nga Gjykata e Lartë është fakti që vepra penale e supozuar e konsumuar nga ana e kërkuesit Ervin Salianji, ka ndodhur në maj të vitit 2018, pra më shumë se 6 vite më parë nga marrja e vendimit formë të prerë. Kërkuesi nuk i është shmangur asnjëherë hetimeve apo gjykimit duke qenë pjesëmarrës në çdo seancë gjyqësore dhe nuk ka asnjë qëllim për mosekzekutimin e këtij vendimi pavarësisht kohës së gjatë që ka kaluar dhe humbjes së aktualitetit të këtij dënimi në lidhje me funksionin e parandalimit të posaçëm të dënimit penal. Për sa më sipër, në zbatim të neneve 417 pika 1 fjalia e dytë dhe 476 pika 1 shkronjat “c” dhe “ç” të K.Pr.Penale,
KËRKOJMË: -Pezullimin e ekzekutimit të Vendimit Nr. 30-2024-6822, datë 26.09.2024 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm.
Me respekt, KËRKUES
Ervin SALIANJI
Av. Ledio BRAHO