Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, zhvilloi sot një takim me ambasadorin e Britanisë së Madhe në Tiranë, Nick Abbot, ku në fokus ishte bashkëpunimi dypalësh në fushën e sigurisë dhe luftës kundër krimit të organizuar.
Në një postim në Facebook, Hoxha njoftoi se diskutimet u zhvilluan në kuadër të Planit të Përbashkët të Masave, “Dialogu kundër Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda”, me theks të veçantë tek rikuperimi i aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale.
“Funksionalizimi i Zyrës së Rikuperimit të Aseteve është një nga rekomandimet kyçe të BE-së dhe një pjesë thelbësore e axhendës sonë të integrimit”, shkroi ministri.
Ministri Hoxha vlerësoi mbështetjen e Mbretërisë së Bashkuar si thelbësore për konsolidimin e këtij mekanizmi institucional, pjesë e Strategjisë Kombëtare kundër Pastrimit të Parave dhe Financimit të Terrorizmit 2024–2030.
Sipas tij, në takim u diskutua për:
• trajnime të avancuara për ekspertët e ZRA dhe institucionet bashkëpunëtore;
• mbështetje për takime operacionale rajonale dhe ndërkombëtare;
• ndërtim kanalesh të drejtpërdrejta me homologët britanikë;
• zhvillim të një databaze analitike për rastet e ZRA, sipas standardeve britanike.
“Shqipëria mbetet e angazhuar në këtë proces jetik për forcimin e sundimit të ligjit dhe ndjekjen e burimeve të paligjshme të pasurisë”, theksoi Hoxha.