Erold Musliu, drejtor i Agjencisë për Zbulim ka deklaruar që shumë shtete aktualisht e përdorin kovid-diplomacinë për strategjitë e tyre hibride, si element për presion, duket shtuar se edhe ne si vend jemi të ekspozuar ndaj këtij presioni mediatik.
”Një nga përparësitë kryesore në punën e Agjencisë, e cila përcaktohet në nenin 4, është rivaliteti gjeopolitik që zhvillon strategji dhe kërcënime hibride. Sigurisht, ne si aleatë të NATO-s kemi përparësi. Si Agjenci kemi përparësi kombëtare dhe të sigurisë dhe si aleatë të NATO-s, me çka ne ndajmë përparësitë e sigurisë me Aleancën. Strategjitë hibride janë sigurisht ndër ato përparësi. Jo çdo vend mund të zhvillojë një strategji hibride. Duhet fuqi, duhen shumë mjete. Vendet të mëdha nëpër botë, por edhe në rajon, po zhvillojnë strategji hibride për të vepruar dhe ndërhyrë në punët e brendshme dhe proceset e tjera. Ata gjithashtu zhvillojnë operacione speciale dhe përdorin të gjitha elementet dhe mjetet në dispozicion të tyre – për të qenë në gjendje të ndikojnë… Sigurisht, si një agjenci e inteligjencës, ne monitorojmë të gjitha këto procese”, tha Musliu, duke shtuar se ata punojnë në mënyrë zbuluese edhe në shtete të cilat janë në rajon, por nuk janë anëtare të NATO-s.
Për lajmet e rreme si kërcënim për sigurinë, Musliu përmendi ato në lidhje me pandeminë e Kovid-19.
“Nuk duhet të analizoni politikisht, ekonomikisht dhe energjikisht, merreni vitin e fundit me pandeminë dhe do të shihni se sa jemi të ekspozuar ndaj presionit të mediave me lajme të rreme. Diplomacia Kovid, fjalori kovid, numrat, kaq vaksina të sjella, e se vendi mik solli kaq shumë vaksina. Ato vende që zhvillojnë strategji hibride e përdorin këtë diplomaci Kovid në strategjinë e tyre hibride si një element presioni. Shumë qeveri janë nën presion në këtë fushë, për të mos përmendur teknologjinë 5G dhe çështje të tjera”, tha Musliu.
Për atë nëse Agjencia do të bashkëpunojë me sektorin civil në këtë fushë, ai theksoi se është një çështje në fushën e kulturës së sigurisë.
“Ne si shërbim e bëjmë punën tonë, mbledhim informacione, dimë kush janë aktorët, pikat nga të cilat veprojnë, ka në Ballkan. Ne si territor dhe shtet jemi të ekspozuar ndaj atij presioni mediatik. Ne do të duhet të bashkëpunojmë me sektorin civil në masën që do të na lejohet, pa prishur aktivitetet tona operacionale”, tha Musliu në konferencën e sotme përfundimtare në kuadër të “Programit për reforma në sektorin e zbulimit në Maqedoninë e Veriut (2017-2020) në Shkup, të organizuar nga tink-tenk EUROThINK – Qendra për Strategji evropiane në bashkëpunim me DCAF nga Gjeneva.