Në Komunën e Likovës u mbajt një takim i rëndësishëm mes kryetarit të komunës, Erkan Arifi, dhe përfaqësuesve të Shoqatës “Llojani dhe Diaspora”, Demir Demiri dhe Granit Zeqiri. Qëllimi i këtij takimi ishte hartimi i hapave konkretë për zhvillimin e fshatit Llojan, me fokus në përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve, njofton Top24
Në këtë takim u dakordua për një sërë projektesh konkrete që prekin drejtpërdrejt jetën e përditshme të qytetarëve, duke filluar nga menaxhimi i mbeturinave, përmirësimi i ndriçimit publik e deri tek shtrimi i rrugëve me bekatonka në Mahallën e Epërme.
Më poshtë gjendet njoftimi i plotë i Komunës së Likovës:
Mirmëngjesi,
Takim bashkëpunues për zhvillimin e fshatit Llojan
Kryetari i Komunës së Likovës, z. Erkan Arifi, priti në një takim pune përfaqësuesit e Shoqatës “Llojani dhe Diaspora”, z. Demir Demiri dhe z. Granit Zeqiri. Qëllimi i këtij takimi ishte shqyrtimi i nevojave infrastrukturore dhe administrative të fshatit Llojan dhe përcaktimi i hapave konkretë për përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve.
Gjatë diskutimit u dakorduan këto pika kryesore:
Menaxhimi i mbeturinave – Komuna e Likovës do të marrë përsipër shërbimin e mbledhjes së mbeturinave që aktualisht trajtohen nga Shoqata.
Mbështetja për punëtorin lokal – Ndërmarrja Komunale “Pisha” do të sigurojë mbulimin e sigurimit pensional, ndërsa pagën mujore do ta sigurojë Shoqata “Llojani dhe Diaspora”.
Vendosja e tabelave orientuese – Në fshatin Llojan do të instalohen tabela udhëzuese për orientim më të lehtë.
Ndriçimi publik – Në objektin e Shkollës Fillore “Rilindja” do të vendosen llamba shtesë për ndriçimin e hapësirave të jashtme.
Përmirësimi i infrastrukturës rrugore – Për shtrimin me bekatonka të rrugës në Mahallën e Epërme, Komuna do të sigurojë materialin e nevojshëm, ndërsa puna do të realizohet nga vetë banorët në bashkëpunim me shoqatën.
Të dyja palët konfirmuan gatishmërinë e tyre për bashkëpunim të vazhdueshëm dhe përkushtim në realizimin me kohë të projekteve që ndikojnë drejtpërdrejt në zhvillimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës në fshatin Llojan.
Me respekt,
Komuna e Likovës