Trajneri i ri shqiptar, Erkam Ismaili, ka shënuar një tjetër hap të rëndësishëm në karrierën e tij profesionale, pasi është emëruar ndihmëstrajner i Reprezentacionit U16 të Maqedonisë së Veriut në basketboll.
Ky emërim vjen si rezultat i punës së vazhdueshme, profesionalizmit dhe përkushtimit që Ismaili ka treguar ndër vite në zhvillimin e basketbollit, duke u konsideruar si një nga trajnerët më premtues të gjeneratës së re në vend. Kujtojmë se ai më herët ka ushtruar detyrën e ndihmëstrajnerit te KB Çair si dhe Sigal Prishtina, ku ka fituar përvojë të rëndësishme në punën me basketbollistët e rinj dhe në nivelin garues.
Për Ismailin, angazhimi në stafin teknik të përfaqësueses U16 përfaqëson një vlerësim të punës së deritanishme dhe një mundësi të re për të kontribuar në zhvillimin e talenteve të reja të basketbollit në vend.
“Emërimin si ndihmës trajner në reprezentacion e kam pritur me shumë përgjegjësi. Është rezultat i punës së deritanishme dhe motivim shtesë për të vazhduar më tej. Në dispozicion kemi shumë lojtarë të talentuar, si nga liga jonë ashtu edhe jashtë vendit. Me punë, disiplinë dhe lojë ekipore, pritshmëritë tona janë të luftojmë për plasman në Divizionin A”, deklaroi Erkam Ismaili, për gazetën KOHA.
Një sfidë e rëndësishme e pret reprezentacionin U16 gjatë kësaj vere. Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut do të marrë pjesë në Kampionatin Evropian U16, Divizioni B, që do të zhvillohet nga 6 deri më 15 gusht në Shkup dhe Gjevgjeli.
Në fazën grupore, Maqedonia e Veriut do të përballet me Ukrainën, Zvicrën, Kroacinë, Islandën dhe Qipron, në një grup mjaft konkurrues, ku synimi kryesor do të jetë lufta për rezultate pozitive dhe një vend të mirë në tabelë.


