Në Shkup u mbajt ceremonia e përurimit të projektit për rinovimin dhe pajisjen e klasave mësimore në Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”. Aktiviteti u zhvillua me pjesëmarrjen e Kryetarit të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TİKA), Abdullah Eren.
Kryetari i TİKA-s, Abdullah Eren, këto ditë po qëndron në Maqedoninë e Veriut në kuadër të një sërë aktivitetesh që organizohen me rastin e 21 Dhjetorit – Ditës së Arsimit Turk në vend,
ku përveç vizitave zyrtare me përfaqësues shtetëror, gjithashtu u vizituan edhe institucione arsimore, siç ishte rasti me Shkollën e Mesme Profesionale të Ndërtimtarisë dhe Arkitekturës “Zdravko Cvetkovski”.
Projekti i realizuar nga TİKA përfshin rinovimin e hapësirave mësimore dhe pajisjen e tyre me inventar dhe mjete moderne, me qëllim krijimin e kushteve më të mira për nxënësit dhe stafin arsimor. Gjatë ceremonisë u theksua rëndësia e bashkëpunimit arsimor ndërmjet Turqisë dhe Maqedonisë së Veriut, si dhe kontributi i vazhdueshëm i TİKA-s në sektorin e arsimit.
Aktivitetet e shënuara në kuadër të Ditës së Arsimit Turk synojnë promovimin e arsimit në gjuhën turke, forcimin e lidhjeve kulturore dhe arsimore, si dhe mbështetjen e projekteve që kontribuojnë në zhvillimin e komuniteteve lokale në Maqedoninë e Veriut.
























