Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, duke theksuar se përfshirja e plotë e Türkiyes në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian (BE) është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës, tha se nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të Türkiyes “po bllokohet me vite”, raporton Anadolu.
Erdoğan mbajti një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Samitit të Komunitetit Politik Evropian, që po mbahet në kryeqytetin e Hungarisë, Budapest.
Ai tha se përfshirja e plotë e Türkiyes në përpjekjet e mbrojtjes të Bashkimit Evropian është e domosdoshme për paqen dhe sigurinë e Evropës. “Nuk ka asnjë shpjegim të arsyeshëm pse procesi i anëtarësimit të një vendi kandidat i BE-së si Türkiye, që jep kontribute të rëndësishme, po bllokohet me vite”, theksoi presidenti turk.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Erdoğan tha: “Negativitetet e shkaktuara nga lufta në Ukrainë po thellohen dita-ditës. Zgjatja e luftës i lë gjithnjë e më pak hapësirë diplomacisë”.
Ai tha se javët e kaluara ka biseduar me presidentin rus Vladimir Putin, ndërsa para tij ka pritur në takim kryediplomatin ukrainas Andrii Sybiha. “Ua përcolla mesazhin se duhet t’i japim hapësirë diplomacisë”, tha Erdoğan.
Erdoğan foli edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme. “Gjenocidi që po vazhdon prej një viti në Gaza është turpi i përbashkët i njerëzimit. Kësaj i shtohen edhe sulmet e pamoralshme dhe ilegale në Bregun Perëndimor dhe Liban”, tha Erdoğan duke shtuar:
“Ata që mbështesin pa kushte agresionin e Izraelit, duhet ta dinë se janë bërë bashkëfajtorë në krimet e kryera”.
Erdoğan theksoi se është thelbësore që të ushtrohet presion ndaj Izraelit për arritjen e një armëpushimi të menjëhershëm dhe për sigurimin e ndihmës së mjaftueshme humanitare në rajon.
“U bëj thirrje të gjitha vendeve që nuk e kanë njohur ende Palestinën që ta bëjnë këtë, për të kontribuuar në drejtësinë dhe paqen globale”, u shpreh ai.
Presidenti turk foli edhe për luftën kundër organizatave terroriste. “Duam të shohim bashkëpunim konkret nga partnerët tanë evropianë në luftën kundër organizatës terroriste PKK”, tha ai duke shtuar:
“Presim që të plotësohen kërkesat tona për bashkëpunim gjyqësor dhe administrativ nga vendet evropiane, ku FETO ka prezencë aktive”.
Erdoğan theksoi se është përgjegjësi e të gjithëve që të luftojnë kundër terrorizmit në bashkëpunim dhe solidaritet, pa bërë asnjë dallim mes organizatave terroriste.