Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit midis Türkiyes dhe SHBA-së për adresimin e krizave të mëdha globale, përfshirë ato në Rripin e Gazës dhe Ukrainë, raporton Anadolu.
“Ne po përballemi me sfida të shumta, duke përfshirë çështjen e Palestinës dhe krizën Rusi-Ukrainë. Tejkalimi i tyre është i mundur përmes bashkëpunimit Türkiye-SHBA”, tha presidenti Erdoğan, duke folur me gazetarët gjatë fluturimit të tij të kthimit nga Budapesti, ku mori pjesë në një samit evropian.
Erdoğan gjithashtu theksoi potencialin për gjallërimin e partneritetit turko-amerikan, duke përmendur komentet pozitive për Türkiyen nga presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump.
“Ne e kemi ftuar atë në vendin tonë dhe unë shpresoj se ai do ta pranojë ftesën tonë”, tha presidenti Erdoğan.
Presidenti turk tha se ai dhe Trump më parë kanë punuar së bashku për çështje të rëndësishme, respektivisht në vitet 2017-2021.
“Edhe pse herë pas herë ka pasur mosmarrëveshje mendimesh, modeli i partneritetit midis Türkiyes dhe SHBA-së është i pamohueshëm”, tha Erdoğan.
Ai theksoi një interes të përbashkët për paqen në Lindjen e Mesme, duke vënë në dukje angazhimin paraprak nga Trump për të adresuar konfliktet rajonale.
“Ju e dini, Trump ka premtuar t’i japë fund konflikteve të nisura nga Izraeli. Ne duam që ai premtim të përmbushet dhe që Izraelit t’i thuhet ndal”, tha Erdoğan.
Mund të jetë një fillim i mirë, tha presidenti Erdoğan, që “Trump të ndërpresë mbështetjen me armë për Izraelin, për të ndaluar agresionin në Palestinë dhe Liban”.
Presidenti turk foli gjithashtu për luftën e vazhdueshme Rusi-Ukrainë, duke shprehur përkrahje për një zgjidhje diplomatike.
“Më shumë armë, më shumë bomba, më shumë kaos dhe konflikt nuk do t’i japin fund kësaj lufte. Më shumë dialog, më shumë diplomaci dhe më shumë konsensus mund të hapin derën e paqes”, tha Erdoğan, duke shtuar se Türkiye ka lehtësuar negociatat në të kaluarën dhe mund ta bëjë atë përsëri.
Më tej, presidenti Erdoğan kritikoi politikat në rajon të administratës amerikane në largim.
“Vazhdimi i politikave të administratës së Biden-it do të thellonte ngërçin në rajon dhe do të përhapte konfliktin. Ne nuk e duam këtë”, tha ai.
Erdoğan gjithashtu përsëriti dëshirën e Türkiyes për marrëdhënie të drejta me Bashkimin Evropoian (BE), duke kërkuar nga blloku evropian të miratojë një “qasje vizionare” për përmirësimin e bashkëpunimit.