Epidemiologët: Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19, luks!

Epidemiologët: Doza e tretë e vaksinës kundër Covid-19, luks!

Paralajmërimet e ministrit të Shëndetësisë për aplikimin e  dozës së tretë të vaksinës anti-covid për personat mbi 60 vjeç, janë kritikuar nga një pjesë e epidemiologëve. Sipas tyre doza e tretë është luks, pasi fokusi duhet të jetë te vaksinimi masiv i atyre që ende nuk e kanë marrë as dozën e parë të vaksinës. Reparti i epidemiologjisë në Qendrën e Shëndetit Publik Shkup vlerëson se rreziku për infeksione të reja vjen më shumë nga të pa vaksinuarit.

 

Nuk është keq që po fillohet me dozën e tretë, por dikush i merr tri doza dhe dikush nuk ka marr asnjë nuk është aq e pëlqyeshme sepse edhe ai që është imunizuar tri herë nuk është i mbrojtur plotësisht dhe mund t’ia përcjelli ai tjetri që nuk është vaksinuar fare. Kështu që duhet të bëhet më tepër përpjekje që të vaksinohet popullsia deri n 80% të mund të arrij imuniteti kolektiv që do ishte diçka solide por e vështirë. Doza e tretë është privilegj për ata që do ta marrin, por natyrisht që është mirë”, tha Lulëzime Bajrami, Specialiste e epidemiologjisë.

Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se doza e tretë, ashtu si e para dhe e dyta rekomandohet, por nuk është e obligueshme, ndërsa mund të aplikohet 6 muaj pas marrjes së dozës së dytë, të cilësdo vaksinë. Qytetarët të cilët kanë nevojë për dozën e tretë nga e hëna do të marrin porosi SMS nga ‘Termini im’ për orarin e vaksinimit.

 

YouTube video

 

Qytetarët që janë vaksinuar jashtë vendit nuk bëjnë termin në pikën e vaksinimit, por duhet të paraqesin certifikatën në pikën e vaksinimit se janë vaksinuar jashtë vendit, në mënyrë që të regjistrohen në ‘Termini Im’ që kanë marrë dy doza vaksinash, çfarë lloj vaksine dhe kur i kanë marrë të dyja dozat e vaksinave. ‘Termini Im’ duhet të ketë të regjistruar se është një vaksinë e dozës së tretë. Në asnjë vend të botës deri më tani doza tretë nuk është kusht udhëtimi dhe nuk është pjesë e certifikatës së vaksinimit”, thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

Përderisa nga Ministria e Shëndetësisë thonë se këtë vendim e kanë marrë në përputhje me rekomandimet e Agjencive Amerikane dhe Evropiane të Barnave, nga kjo e fundit akoma nuk kanë marrë një vendim për shtetet e BE-së. Krerët e EMA-s thanë se një vendim mbi nevojën për dozën e tretë të vaksinës anti-Covid, do ta shqyrtojnë në fillim të tetorit. Ndërkohë mbi 1,600 qytetarë morën dozën e parë të vaksinës, apo mbi 7,500 aplikime vaksinash u bënë në bazë ditore. 2 doza kanë marrë mbi 704 mijë qytetarë, por në total vetëm sa ka kaluar 1/3 e imunizimit të popullsisë.