Në dokumentarin e “Movistar Plus+” për Luis Enrique, me titull “nuk e keni as idenë më të vogël”, trajneri i PSG-së flet për mënyrën se si ishte i kufizuar nga prania e Kylian Mbappé në skuadrën e tij dhe parashikon se pa sulmuesin francez “ai do të kontrollojë të gjitha aspektet e lojës”.
Në pamjet e transmetuara nga “Movistar Plus+”, Luis Enrique rikujtoi në vitin 2024 çfarë do të thoshte të luaje me një futbollist të nivelit të Mbappé dhe si kjo e ndikonte punën e tij: “A besoj se do t’i përmirësoj rezultatet sezonin e ardhshëm krahasuar me 2023-2024?
Pa asnjë dyshim. Fakti që kishim një lojtar (Mbappé), i cili lëvizte ku të donte ai, nënkupton se kishte situata loje që unë nuk i kontrolloja. Sezonin tjetër do t’i kontrolloj të gjitha. Të gjitha”.
Skuadra e Luis Enrique këtë sezon, tashmë pa Mbappé, ka fituar titullin e Ligue 1 dhe është në garë për të siguruar dy trofe të tjerë. Më 24 maj do të luajë finalen e Kupës së Francës ndaj Reims, ndërsa më 31 maj do të përballet me Interin në finalen e Ligës së Kampionëve.