Për dallim nga javët tjera, këtë të enjte jemi zhveshur nga temat politike, kështu duke trajtuar problematikat që i tangojnë rininë shqiptare në Maqedoni. Andaj protagonist i rradhës në intervistën e Almakos, “3 pyetje nga Mensur Krasniqi”, është kryetari i “Shoqatës joqeveritare për ngritjen e kulturës politike, Uniteti Progresiv”, Enis Baftijari.
Mensur Krasniqi: “Shoqata joqeveritare për ngritjen e kulturës politike, Uniteti Progresiv”, kështu quhet shoqata nën emblemën e së cilës ju realizoni aktivitetet e juaja. Na thuani pak më tepër për këtë shoqatë, kur u themelua dhe sa në të vërtetë po i shërben ngritjes së nivelit të vetëdijes tek rinia shqiptare?
Enis Baftijari: Uniteti Progresiv është themeluar nga studentë të shkencave politike, njëri ndër të cilët isha edhe unë dhe tani më pregaditemi që të shënojmë përvjetorin e dytë nga paraqitja në skenë. Ndërsa për atë se sa i shërbejmë kauzës tonë deri tani flasin veprat tona, vepra dhe aktivitete të cilat nuk mund të thuhet se janë pak për këtë periudhë kohore prej se kemi filluar. Mirëpo ajo që është më e rëndësishme për mua të cilën dua ta potencoj, janë kushtet dhe rrethanat e vështira në të cilat kemi filluar, edhe pse në moshë shumë të rinj dhe pa përvojë ne u futëm në këtë sfidë në një fushë ku veç se shumë organizata janë të etabluara dhe ka një konkurencë të ashpër. Por pavarësisht këtyre vështirësive ne arritëm që të krijojmë një organizatë të shëndoshë dhe shpresojmë se në të ardhmen do të ti forcojmë kapacitetet tona për të kontribuar në të mirën e rinisë tonë.
Mensur Krasniqi: E cekët se po pregaditeni të shënoni përvjetorin e dytë si organizatë dhe se keni realizuar jo pak aktivitete. Na tregoni se për çfarë aktivitete bëhet fjalë?
Enis Baftijari: Fillimisht ne jemi fokusuar në punën me të rinjtë dhe sfida jonë e parë ishte rrjetëzimi me të rinjtë duke organizuar takime të ndryshme me djem dhe vajza edhe nga qytetet tjera që kryesisht ishin studentë të drejtimeve shoqërore. Kështu që duke pasur parasysh se qëllimi jonë primar është edukimi politik ne filluam të organizojmë tribuna publike dhe një varg ligjeratash pikërisht mbi këtë temë, duke përfshirë këtu edhe vizita nëpër institucione të larta shtetërore në R. e Maqedonisë dhe në R. e Kosovës. Mos t’i harojmë edhe ekskurzionet dhe takimet e lira ku diskutojmë për çështje të interesit publik, trajnimet, organizimin e garave për ese, bashkëpunime me organizata tjera, etj. Për të gjitha këto që i ceka gjithmonë jemi konsultuar dhe kemi angazhuar profesionistë dhe profesorë universitarë duke përfshirë këtu edhe përfaqësues nga Kosova dhe së fundmi kemi arritur të fitojmë një grant nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim. Në përgjithësi këto janë disa nga aktivitetet që deri tani kemi arritur ti realizojmë edhe pse për një kohë jo shumë të gjatë, dhe mendoj se deri këtu kemi aritur të vendosim bazat për një zhvillim të mëtejshëm.
Mensur Krasniqi: Sa jeni të njoftuar me fluksin e migrimit të të rinjëve nëpër vendet perëndimore. Si mund ta komentoni këtë fenomen, arsyet dhe masat preventive që duhet të mirren?
Enis Baftijari: Është e vërtetë se viteve të fundit migrimi i popullsisë shqiptare është përshpejtuar dramatikisht dhe kjo paraqet dështim strategjik për elitën politike shqiptare. Pikërisht të rinjtë janë ata të cilët në masë më të madhe braktisin vendlindjen dhe drejtohen kah shtetet e Evropës perëndimore për një perspektivë më të mirë. Nëse migrimi vazhdon në afat më të gjatë me këtë dinamikë, jam i brengosur se mund të na ndodhin procese negative dhe një ditë të përballemi me fenomenin e “mortajës së bardhë” ku do të përballemi me plakjen e popullsisë. Kjo do të kishte shumë pasoja negative me një domino efekt si në planin ekonomik edhe në atë politik. Më shqetësues për mua është fakti se përqindja më e madhe e të rinjve që migrojnë jashtë vendit janë të përkatësisë etnike shqiptare, sepse të gjitha të dhënat dëshmojnë se numri i nxënësve në komunat shqiptare po bie drastikisht edhe përskaj natalitetit relativisht të lartë, ndërsa tek komunat maqedonase situata është më stabile. Pra kjo qartë na flet se arsyet kryesore të migrimit të shqiptarëve janë të natyrës ekonomike dhe kjo i ka rrënjët shumë më thellë ndër vite dhe dekada kur shqiptarët janë diskriminuar dhe përjashtuar sistematikisht nga jeta sociale dhe ekonomike në R. e Maqedonisë. Andaj mendoj se subjektet politike shqiptare duhet të fokusohen edhe në çështje reale që janë esenciale për ekzistencën e shqiptarëve dhe më pak të propagandojnë nacionalizëm folklorik për qëllime të përfitimit të emocioneve të qytetarëve!/Almakos.