Një i mitur rreth moshës 3-4 vjeç është gjetur sot nga qytetarët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” në Tiranë, pa praninë e prindërve.
Fëmija ishte i veshur me xhinse blu dhe një bluzë gjithashtu blu me kapuç.
I mituri u dërgua menjëherë në ambientet e Policisë së Tiranës, ndërsa uniformat blu u bënë thirrje familjarëve apo të afërmve të paraqiten pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Rreth një orë më vonë, policia njoftoi se familjarët e fëmijës u paraqitën në DVP Tiranë dhe e morën atë.
Njoftimi i policisë:
Më datë 30.04.2035, rreth orës 16:00, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit” është gjetur nga qytetarët i vetëm në rrugë një fëmijë i mitur rreth moshës 3-4 vjeç, i cili është në gjendje të mirë shëndetësore. Ai mban të veshur një palë xhinkse ngjyrë blu dhe një bluzë me kapuç ngjyrë blu.
Aktualisht fëmija gjendet në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë. Familjarë të tij ose çdo person tjetër që ka kontakte me ta mund të telefonojë në 112 ose mund të paraqitet pranë Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
Duke iu falenderuar për bashkëpunimin.