Vazhdon kaosi në çerdhet e Strugës. Asnjë nga 20 përkëdhelëset dhe edukatoret, të cilat me vite punojnë me kontratë pune, nga shtatori nuk kanë marrë paga, të cilat arrijnë në 10 mijë denarë edhe pse rregullisht shkojnë në punë dhe kujdesen për fëmijët. Por fakti që në Ministrinë e Financave është paraqitur kërkesë për pëlqim financiar vetëm për pesë punësime, tregon se nuk ka rrugëdalje nga problemi.
“Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë ka pranuar kërkesa për dhënien e pëlqimit financiar për punësimin e kuadrit profesional në kopshtin e cekur dhe të njëjtat i janë përcjellë Ministrisë së Financave si organ përkatës për miratimin e fondeve gjegjësisht pëlqimet për punësim. Janë dorëzuar pesë kërkesa për pëlqim financiar për punësime me datë 12 nëntor 2024”, thonë nga Ministria e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë.
Ministria përkatëse thotë se komuna është themeluese e çerdhes “8 Marsi” dhe se drejtori i institucionit merr vendim për nevojën e punësimit të punonjësve për plotësimin e vendit të zbrazët. Nga Sindikata rajonale e SASHK-ut në Strugë thonë se duhet zgjidhje urgjente për këtë problem serioz.
Mendim kërkuam edhe nga drejtoresha e çerdhes, Desanka Boshnjakoska, por përkundër faktit se ajo premtoi se do të dërgojë përgjigje në pyetjet, këtë nuk e bëri. Ndër të tjera e pyetëm se pse është bërë kërkesë vetëm për 5 punësime, çka nëse nuk vijnë më në punë, a do të mbyllet kopshti dhe a ka mjaft punonjës që kryejnë veprimtari edukative. Alsat jo-zyrtarisht mëson se një nga masat që po shqyrtohet është heqja e kompetencave të komunës së Strugës dhe kryetarit Merko për çerdhet. Ndryshe, në fillim të shtatorit qindra prindër, gjyshe, gjyshër, me fëmijët dhe nipërit e tyre protestuan para komunës së Strugës, duke kërkuar që të angazhohen edukatore nëpër çerdhe. Në muajin shkurt protestuan edhe punonjëset, por më pas iu premtua se do t’u zgjidhej statusi./Alsat.mk