Qendra për Menaxhim me Kriza informoi sot se zjarri në komunën e Likovës në zonën midis fshatrave Sllupçan dhe Vaksincë është ende aktiv. Zjarri shpërtheu dje pasdite dhe përfshiu bar të thatë dhe pyll me vegjetacion të ulët në atarin e fshatit Sllupçan të Likovës, kumtuan sot nga Qendra Rajonale për Menaxhim me Kriza e Kumanovës.
Në zjarrin gjatë ditës së djeshme ndërhynë dy automjete kundërzjarrit me gjashtë zjarrfikës, dy ekipe nga dega e Kumanovës e “Pyjeve kombëtare”, si dhe pjesëtarë të Armatës së RMV-së.
Ekipi i “Pyjeve Kombëtare”, përveç ndërhyrjes gjatë natës, kishte ndërhyrje edhe sot në sipërfaqet e djegura në atarin e fshatit Sllupçan.
“NJTKZ Kumanovë e lokalizoi dhe shuajti zjarrin në fshatin Sllupçan në rrugën për në fshat, si dhe në rrugën për në fshatin Vaksincë dhe depot ushtarake, pak para orës 22:00. Ekipet e “Pyjeve Kombëtare”, të cilat morën pjesë aktive në shuarjen e zjarrit në pjesën pyjore të fshatit Runicë, e lokalizuan atë në orët e para të mbrëmjes. Një ekip u tërhoq nga vendi i ngjarjes në orët e para të mbrëmjes, ndërsa i dyti qëndroi në detyrë deri vonë natën”, kumtuan nga QRMK Kumanovë.
Njësia e zjarrfikësve të Kumanovës ndërhyri dje edhe në atarin e fshatit Opae, ku u dogj një shtëpi verore, si dhe në lokalitetin “Stara Ciglana”.