Policia e Pogradecit identifikon dhe shpall në kërkim autorin e dyshuar të plagosjes me armë zjarri të Brian Syzos, 35-vjeç (foto poshtë), i cili po mjekohet në spital, jashtë rrezikut për jetën.
I dëmtuari njihej si person me precedentë të mëparshëm penalë dhe pikërisht tek këto konflikte të vjetra dhe çështje hakmarrjeje janë përqendruar hetimet.
Burime zyrtare thanë se ngjarja ndodhi rreth orës 13:15 në lagjen nr. 3 të qytetit liqenit. I dyshuar për krimin është Nikolla Agolli, dhe qitja me armë është bërë drejt këmbës së Syzos.
Autori dyshohet se nuk ka pasur për qëllim ta vrasë 35-vjeçarin, teksa konfirmohet se mes tyre kishte konflikt.
Nikolla Agolli u plagos vitin e kaluar nga Sindi Syzo, vëllai i Brianit, në një berberhane. Ngjarja ka ndodhur në lagjen nr. 1 të Pogradecit, në janar të 2025.
Njoftimi i Policisë Pogradec:
“Rreth orës 13:15, në lagjen nr. 3, dyshohet se, gjatë një konflikti, shtetasi N. A. ka plagosur me armë zjarri, në këmbë, shtetasin B. S., rreth 35 vjeç, i cili po merr mjekim në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë po vijojnë kontrollet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit të dyshuar të plagosjes.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të konfliktit dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes”.


