Një 38-vjeçar është arrestuar nga blutë sepse dyshohet të jetë përfshirë në një rrjet kriminal që kishte si qëllim trafikun e qenieve njerëzore drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Në pranga ka rënë shtetasi Sinan Kovaçi, 48 vjeç, banues në Tiranë, i cili në bashkëpunim me persona të tjerë, ka lehtësuar kalimin ë mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë dhe të huaj nga brenda Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesës prej 30-40 mijë dollarë për person.
Raportohet se Departamenti i Policisë Kriminale në bashkëpunim me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara prezente në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ka depërtuar në rrjetin kriminal të akuzuar për kontrabandën e dhjetëra shtetasve shqiptarë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara.
Njoftimi i policisë:
Policia e Shtetit
Arrestohet një shtetas shqiptar i përfshirë në trafikun e qenieve njerëzore, drejt Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Më datë 26.02.2025, Departamenti i Policisë Kriminale, nëpërmjet Njësisë së Përbashkët Hetimore dhe me bashkëpunim me Prokurorinë e Tiranës dhe me Njësinë e Hetimeve Kriminale pranë Shërbimit të Sigurisë Diplomatike të Shteteve të Bashkuara prezente në Ambasadën e SHBA-së në Tiranë, ka depërtuar në një rrjet kriminal të akuzuar për kontrabandën e dhjetëra shtetasve shqiptarë nga Evropa në Shtetet e Bashkuara. Ky aktivitet dyshohet se ka nisur në vitin 2020.
Në bazë të një urdhër arresti, të lëshuar nga Gjykata e Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, një nga të dyshuarit, shtetasi S. K., 48 vjeç, banues në Tiranë, është arrestuar.
I arrestuari dhe të dyshuarit e tjerë në hetim, kanë lehtësuar kalimin në mënyrë të paligjshme të shtetasve shqiptarë dhe të shtetasve të huaj, nga brenda Shqipërisë drejt Shteteve të Bashkuara, kundrejt pagesës prej 30-40 mijë dollarë për person.
Hetimet vazhdojnë së bashku me partnerë të tjerë ligjzbatues, brenda dhe jashtë Shqipërisë, për të dokumentuar veprimtarinë kriminale të personave të tjerë të përfshirë në këtë rrjet të kontrabandës me qenie njerëzore.
Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojë edhe një herë Prokurorinë e Përgjithshme të Juridiksionit të Tiranës dhe angazhimin e partnerëve ligjzbatues të SHBA-së, për bashkëpunimin dhe koordinimin e tyre në këtë hetim penal.