Një 61-vjeçar i kërkuar nga Prokuroria e Posaçme dhe i dënuar me burg me formë të prerë të Apelit të GJKKO-së, është lokalizuar dhe prangosur së fundmi nga Policia e Elbasanit.
Aksioni është kryer nga specialistët për Hetimin e Narkotikëve. I arrestuari është Fadil Demaj. Ai ishte me masë sigurie “arrest në shtëpi”.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 20.10.2025, e ka dënuar me 5 vjet, 3 muaj e 18 ditë burgim, për veprën penale “prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal”, thuhet në njoftimin zyrtar.
Uniformat blu kanë ekzekutuar vendimin e formës së prerë, duke e kthyer 61-vjeçarin në qeli për të vuajtur dënimin e dhënë.
Demaj akuzohej si pjesë e një organizate kriminale që trafikonte drogë nga Shqipëria në Greqi. Vitin e kaluar ai ishte arrestuar për thyerje të masës së sigurisë, por është rivendosur përsëri në arrest shtëpie.
“Për shtetasin F. D., Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, më datë 13.05.2024, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Trafikimi i lëndëve narkotike”, të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, thuhej në njoftimin e vitit të kaluar të Policisë së Elbasanit.
Demaj ishte kapur duke qarkulluar me mjet në lagjen “Shënkoll” të qytetit dhe refuzoi t’i bindej uniformave blu. Por gjatë procesit të GJKKO në të dyja shkallët, u gjet fajtor dhe dënua.


