Një grua 33-vjeçare, e dyshuar për mashtrime financiare me të dhënat personale të disa qytetareve, është arrestuar nga Policia e Lezhës në kuadër të operacionit të koduar “Kredia”.
Në pranga ka rënë Donika Curri, banuese në Tiranë, e cila prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur, dhe me këtë skemë mashtrimi u ka marrë fotokopjet e kartave të identitetit dhjetëra qytetareve të Lezhës, duke u premtuar ndihmë financiare mujore.
Më pas, sipas hetimeve të para, ajo përdorte të dhënat personale të viktimave për të aplikuar e përfituar kredi në institucione të ndryshme financiare. Shumat e përfituara depozitoheshin në një llogari bankare të administruar prej saj.
Skema kriminale u zbulua pas 16 kallëzimeve të mbërritura nga gra të zonës, të cilat konstatuan se ishin ngarkuar me kredi që nuk i kishin kërkuar apo përfituar vetë.
Gjatë kontrolleve të ushtruara nga uniformat blu, janë sekuestruar dokumente bankare dhe materiale të tjera që përforcojnë dyshimet për mashtrimin financiar.
Policia njofton se hetimet janë në vijim, me qëllim dokumentimin e plotë të skemës mashtruese dhe identifikimin e bashkëpunëtorëve të mundshëm.
Ndaj Donika Currit rëndojnë akuzat për “Mashtrim kompjuterik” dhe “Përdorim i paautorizuar i të dhënave personale”, vepra penale të parashikuara nga Kodi Penal shqiptar.
Njoftimi i policisë
Drejtoria Vendore e Policisë në Lezhë ka finalizuar operacionin e koduar “Kredia”, duke vënë në pranga një 33-vjeçare të dyshuar për mashtrim financiar me të dhëna personale të disa shtetaseve.
Sipas hetimeve paraprake, shtetasja D. C., banuese në Tiranë, prezantohej si përfaqësuese e një shoqate bamirësie për nëna me fëmijë të mitur. Ajo mashtronte viktimat duke u kërkuar fotokopje të kartës së identitetit me premtimin e dhënies së ndihmës mujore. Më pas, duke përdorur të dhënat e tyre personale, aplikonte dhe përfitonte kredi në institucione të ndryshme financiare.
Operacioni policor është rezultat i administrimit të shpejtë të 16 kallëzimeve të mbërritura nga qytetare të ndryshme që ranë pre e kësaj skeme mashtrimi.
Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente bankare që pasqyrojnë transfertat e parave të përfituara nga kreditë, të cilat ishin derdhur në një llogari të administruar nga vetë e dyshuara.
Policia njofton se hetimet vijojnë për të dokumentuar tërësisht skemën kriminale dhe për të identifikuar të mundshëm bashkëpunëtorë të saj.