Zbulohen detaje të reja për operacionin e policisë dhe SPAK që çoi në procedimin e disa personave, administratorë të 9 subjekteve Call Center. Mësohet se, hetimi kishte nisur që në 2021 dhe se personat e akuzuar mashtronin shtetas evropianë të investonin në bursa.
Sipas asaj që raporton BW, nga hetimi i kryer në kuadër të procedimit penal viti 2021 i Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe krimit të organizuar deri tani dhe një vështrim të përgjithshëm të provave dhe indicieve rrethanore, veçanërisht duke marrë parasysh hetimet e IP-së dhe hetimet në regjistrin tregtar, nuk ka dyshim se platformat mashtruese Broker Z dhe Globalic kanë operuar nga Call-Center-i i “Bluenergycall SHPK” në Tiranë.
Si funksiononte skema e mashtrimit:
Në ambientet e “Bluenergycall SHPK” sigurisht që kishte nga ata persona që kontaktonin personat e dëmtuar në Gjermani (dhe vende të tjera) me pseudonime të ndryshme. Sapo viktima regjistrohej në platformën e mashtrimit me emër, mbiemër, e-mail dhe numrin e telefonit, autorët i kontaktonin menjëherë në telefon dhe krijohej një bazë besimi me klientin e pretenduar.
Fillimisht viktimat tundohen të investojnë në sasi të vogla me premtimin se “broker-i”/ndërmjetësi” i pretenduar i faqes së investimeve, do të realizojnë një fitim të madh me investimin e aksioneve dhe valutave të kriptuara. Ky premtim, i bazuar në një platformë fiktive, e cila ka për qëllim mashtrimin e viktimave, nëpërmjet sistemeve kompjuterike, për përfitime të padrejta ekonomike, është i rremë.
Në lidhje me sa më sipër, Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka lëshuar urdhrin datë 14.03. 2022 për kontrollin e ambienteve të subjektit “Bluenergycall shpk”. Gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin “Bluenergycall” shpk, ndër të tjera është konstatuar fizikisht dhe shtetasi Ilir Shkurti.
Konkretisht shtetasi Anduel Gjergji, dyshohet se është punësuar në subjektin “Bluenergycall” dhe ka konsumuar veprën penale “mashtrimi kompjuterik” të kryer në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal. Sipas SPAK, ekziston dyshimi i arsyeshëm që shtetasi Ilir Shkurti të të ndërhyjë për prishjen e provave si dhe rreziku i ikjes dhe mos gjetjes së personit sërish për nevoja hetimi si edhe në pamundësi të ndërhyrjes së prokurorit për shkak të veprimeve në terren.
Njoftimi i SPAK për aksionin:
“Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar Tiranë, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe në bashkëpunim me Autoritetet Gjyqësore të Prokurorisë së Përgjithshme Bamberg, Sektorin Qëndror Cybercrime Bayern Gjermani, në kuadër të hetimeve të procedimit penal nr.300/2021 dhe në zbatim të Vendimit nr.359 datë 05.10.2021 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, ka kryer hetime intensive në drejtim të veprës penale “Mashtrim kompjuterik, në kuadër të grupit të organizuar kriminal”.
Në këtë kuadër, me datë 16.03.2022 është ushtruar kontroll në 8 (tetë) ambientet e subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, rruga e Kavajës, Condor Center, në Tiranë. Gjatë kontrollit është arritur sekuestrohen pajisje kompjuterike, sisteme elektronike dhe prova të tjera materiale që dokumentojnë se subjekti “BLUENERGYCALL SHPK” me seli në Tiranë, i cili ushtronte aktivitetin e “Call Center”, në platformat elektronike mashtruese “BrokerZ” dhe “Globalix” nga viti 2018 e në vazhdim ka kryer mashtrimin e shumë qytetarëve gjermanë, duke përfituar prej tyre shuma të konsiderueshme parash.
Pas analizimit dhe vlerësimit të provave të grumbulluara është bërë ndalimi i 15 (pesëmbëdhjetë) shtetasve dhe konkretisht administratorit të subjektit E. K., shtetasit Xh. Xh., me funksion IT-programues elektronik dhe 13 shtetasve të tjerë me funksion “Retention (menaxherë të sallave)” të subjektit “BLUENERGYCALL SHPK”, të dyshuar për kryerjen e veprave penale “Mashtrimi kompjuterik”, kryer në bashkëpunim në kuadër të “Grupit të strukturuar kriminal”, të parashikuar nga nenet 143/b, 28 pika 4 dhe 334 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Hetimet e këtij procedimi penal vazhdojnë në drejtim të sqarimit të plotë të rrethanave dhe fakteve objekt hetimi dhe evidentimit të gjithë shtetasve apo subjekteve tregtare të përfshirë në këtë aktivitet të kundërligjshëm.”, thuhet në njoftimin e SPAK.




