GJKKO ka lënë në fuqi masën e arrestit me burg për Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbaj, të arrestuar pasi futën miliona euro në Shqipëri nga Zvicra përmes sistemit “Hawala”.
Në kuadër të këtij hetimi të SPAK, në Zvicër është arrestuar edhe Ervis Ferizaj.
Sipas SPAK, për kalimin e parave përmes kësaj metode (Hawala), e cila nuk lë gjurmë por ka si tarifë një përqindje prej 6% të vlerës, janë përdorur zyra këmbimi valutor dhe agjenci turistike.
Sipas hetimeve, paratë e pista të futura në Shqipëri në qindra raste përgjatë disa viteve kanë si burim trafikun e drogës në Zvicër, ku po hetohet edhe për persona të tjerë të dyshuar.
Si bëhej transferimi i parave?
“Hawala”, iu ka mundësuar personave nën hetim dhe personave të tjerë të përfshirë në aktivitetet kriminale, të transferonin në mënyrë të shpejtë shuma monetare nga Zvicra në Shqipëri, për një periudhë disa vjeçare, të paktën prej vitit 2020 dhe në vazhdim.
Ddërguesit e parave, dorëzonin paratë që kishin origjinë kriminale tek bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër, duke i informuar ata për emrin e personit që ishte pritësi i shumave të parave në Tiranë.
Bashkëpunëtorët e grupit kriminal me banim në Zvicër menjëherë sapo kryhej depozitimi i parave njoftonin bashkëpunëtorët e tyre në Tiranë, Ervis Ferizaj, i cili është edhe drejtuesi i këtij grupi kriminal, për shumën e depozituar të parave dhe emrin e personit i cili ishte pritësi i parave në Tiranë.
Më pas, Ervis Ferizaj në bashkëpunim me personat nën hetim Burim Ferizaj dhe Përparim Kalbajn, dorëzonin sasinë e njëjtë të parave që ishtë depozituar te bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, tek personat që ishin pritësit e shumave në Tiranë.
Për të realizuar këtë veprimtari kriminale, personat nën hetim në Shqipëri dhe bashkëpunëtorët e tyre në Zvicër, kanë përdorur zyra të këmbimit valutor, zyra të transferimit të parave dhe agjenci turistike.
Qëllimi i kësaj veprimtarie nga grupi i strukturuar kriminal ka qënë realizimi i fitimeve, ku vlera e përfitimit monetare që përfitohej nga personat nën hetim ishte 6% e shumës së parave që transferohej, që ndahej më pas në mënyrë të barabartë mes Ervis Ferizajt dhe bashkëpunëtorëve në Zvicër.