Një ngjarje e rëndë është shënuar mbrëmjen e së mërkurës, më 9 prill, në Rrugën e Dibrës në Tiranë, ku një person është plagosur me armë zjarri gjatë një konflikti.
Sipas informacioneve paraprake, 32-vjeçari Franci Canaj dyshohet se ka qëlluar me armë zjarri dhe ka plagosur në këmbë 29-vjeçarin Gerald Hoxha, pas një konflikti për motive të dobëta.
I plagosuri është transportuar menjëherë në spital, ku ka marrë ndihmën e nevojshme mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe është në kërkim të autorit të dyshuar.
Njoftimi i policisë:
Tiranë
Policia identifikon dhe shpall në kërkim një 32-vjeçar që plagosi me armë zjarri një shtetas, mbrëmjen e djeshme, gjatë një konflikti për motive të dobëta.
Specialistët e Sektorit për Krimet e Rënda, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit, mbrëmjen e djeshme, se në Rrugën e Dibrës ishte plagosur me armë zjarri një shtetas, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes.
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, u identifikua dhe u shpall në kërkim shtetasi F. C., 32 vjeç, i cili dyshohet se, gjatë një konflikti për motive të dobëta me shtetasin G. H., 29 vjeç, e ka qëlluar këtë të fundit në këmbë, me armë zjarri.
Shtetasi G. H. mori ndihmë mjekësore dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Vijojnë veprimet intensive për lokalizimin dhe kapjen e autorit, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.