Tre persona janë arrestuar nga policia në kuadër të operacionit Zadrima të finalizuar në orët e mbrëmjes në Lezhë. Gjatë kontrollit policia ka gjetur 40 kg kanabis në thasë plastmasi të zeza që përdoren për plehrat.
Në pranga janë vënë Ergys Arrazi 28 vjeç, Izmir Dervishi 31 vjeç dhe Durim Mehmedaj 37 vjeç të tre banues në Shkodër.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.
Njoftimi i Policisë:
“Finalizohet operacioni policor i koduar “Zadrima”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë. Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas. Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 40 kilogramë cannabis sativa, 2 automjete dhe 3 celularë.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike, me 2 automjete, në rrugën nacionale Shkoder – Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima”.
Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit D. M. dhe E. A., të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike.
Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. D., 31 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të tre banues në Shkodër. Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.”



