Policia ka zhvilluar një operacion në Elbasan, nga e cila janë arrestuar 3 shtetas.
Në pranga janë vënë Elban Coniku, 52 vjeç, Dhimitër Peqini, 59 vjeç dhe Artan Lila, 47 vjeç.
Nga operacioni janë gjetur dhe sekuestruar 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).
Sipas njoftimit të bluve, Coniku dhe Peqini bashkëpunonin në trafikun e armëve. Sakaq, Peqini dhe Lila bashkëpunonin për falsifikimin e dokumenteve.
Njoftimi i policisë:
DVP Elbasan
Finalizohet operacioni policor i koduar “Organizatori”
Sekuestrohen 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak, granatë defensive dhe 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase).
Vihen në pranga 3 shtetas (organizatori i 2 veprimtarive kriminale në fushën e trafikimit të armëve dhe falsifikimit të dokumenteve, si dhe dy bashkëpunëtorët e tij).
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe ata të Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Elbasanit, pas një hetimi 4-mujor, me metoda speciale, finalizuan operacionin policor të koduar “Organizatori”.
Si rezultat i operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dh. P., 59 vjeç, banues në Elbasan, i cili organizonte trafikimin e armëve drejt RMV-së dhe falsifikimin e dokumenteve.
Gjithashtu, gjatë operacionit u kapën dhe u vunë në pranga shtetasit E. C., 52 vjeç, banues në Gramsh, dhe A. L., 47 vjeç, banues në Elbasan.
Nga hetimet rezulton se 52-vjeçari, bashkëpunonte me 59-vjeçarin për trafikimin e armëve, ndërsa 47-vjeçari bashkëpunonte me 59-vjeçarin, për falsifikimin e dokumenteve.
Gjatë kontrollit në banesën e 47-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 20 dokumente të dyshuara të falsifikuara (shqiptare, bullgare dhe maqedonase) dhe pajisje që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit “Organizatori”, në fshatin, Çekin, Gramsh, shërbimet e Policisë iu bënë shenjë ndalimi automjeteve që drejtoheshin nga shtetasit Dh. P. dhe E. C. Nga kontrollet, u gjetën të fshehura në bagazhe, 3 armë zjarri kallashnikovë, 3320 fishekë luftarak dhe 1 granatë, që nga hetimet rezulton se do të trafikoheshin drejt Maqedonisë së Veriut.
Më tej, gjatë hetimeve rezultoi se shtetasi Dh. P., në bashkëpunim me shtetasin A. L., falsifikonin në banesën e këtij të fundit, dokumente të ndryshme (pasaporta, karta identiteti, leje qëndrimi dhe dëshmi aftësish), shqiptare dhe të huaja.
Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, për të identifikuar dhe nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, shtetas të tjerë të përfshirë në këto veprimtari kriminale.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.