Deputetja boshnjake Emilija Rexhepi ka komentuar ngërçin politik dhe bllokadën për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke theksuar se situata aktuale reflekton mungesë të përgjegjshmërisë dhe seriozitetit nga disa deputetë dhe parti politike.
Rexhepi tha se po presin vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe se janë njohur me propozimin e AAK-së për votim të fshehtë në zgjedhjen e kryetarit të parlamentit. Ajo nënvizoi se presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mundësuar që çështja t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për zgjidhje.
“Po presim vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe e kemi parë propozimin e AAK-së për votim të fshehtë. Folëm gjithashtu se si presidentja e shtetit, Vjosa Osmani, na dha mundësinë t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese dhe në mes të ditës, zgjedhjet lokale janë caktuar për 12 tetor, prandaj përqendrohuni tek ato,” deklaroi ajo.
Deputetja Rexhepi shtoi se përplasjet dhe nomimin e vazhdueshëm të kandidatëve për kryetar të parlamentit pa arritur një kompromis janë shenja e mungesës së seriozitetit.
“Nëse vazhdojnë të jenë kokëfortë kështu dhe të gjithë nominojnë çdo kandidat për kryetar të parlamentit, po tregojnë mungesë të madhe serioziteti ndaj shtetit dhe parlamentit si institucion parësor”, tha ajo për FrontOnlinen.
Ajo gjithashtu përkujtoi se parlamenti nuk është pronë e askujt, por një institucion përgjegjës para qytetarëve.
“Ne si qeveri punojmë çdo ditë, por duhet të mbizotërojë arsyeja e shëndoshë e deputetëve që kanë fituar besimin e qytetarëve. Parlamenti nuk është institucion privat as i një individi dhe as i një partie politike, të gjithë jemi përgjegjës për këtë situatë”, tha Rexhepi.
Në përfundim, deputetja u bëri thirrje deputetëve që të votojnë për kryetarin dhe zëvendëskryetarët e parlamentit dhe të lejojnë formimin e qeverisë me shumicë të sigurt.
“Le të votojmë për kryetarin dhe zëvendëskryetarët e parlamentit dhe t’i hapim hapësirë atij që ka 61 vota për të formuar qeverinë. Nëse nuk ka kompromis apo numra, do të shkojmë në zgjedhje sa më shpejt të jetë e mundur”, përfundoi ajo.